Lidhje


Neglizhuan pacienten duke çuar në humbjen e foshnjës, merren të pandehura dy gjinekologet e “Hygeia-s”

Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehura dy mjeke gjinekologe, Ibrime Mata dhe Enriketa Kroi, të akuzuara për neglizhencë në trajtimin e një pacienteje shtatzënë, që përfundoi me humbjen tragjike të foshnjës dhe rrezikimin e jetës së nënës.

 

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga shtetasja G.S në vitin 2023. Nga dosja hetimore rezulton se mjekja Ibrime Mata nuk ka hapur apo mbajtur një historik të saktë mjekësor për pacienten, pavarësisht se ajo iu nënshtrua disa ekzaminimeve gjatë shtatzënisë. Sipas Prokurorisë, ajo ka injoruar simptomat dhe shqetësimet e përsëritura të gruas, duke mos kryer kontrolle të thelluara, çka solli pasoja fatale: lindjen e një foshnje të parakohshme me probleme të rënda shëndetësore, e cila nuk arriti të mbijetonte.

 

Pas mungesës së kujdesit nga mjekja e parë, pacientja iu drejtua një tjetër gjinekologeje, Enriketa Kroi. Por hetimet treguan se edhe kjo e fundit nuk mori masat e duhura mjekësore, ndonëse pacientja paraqiste simptoma të rënda që tregonin për një gjendje të avancuar patologjike, pre-eklampsi të rëndë. Pavarësisht vizitave në klinikën private, Kroi nuk ndërhyri në kohë për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes së gruas.

 

Në fund, pacientja u shtrua me urgjencë në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku iu konstatua një formë e avancuar e pre-eklampsisë, duke detyruar mjekët të ndërpresin menjëherë shtatzëninë për të shpëtuar jetën e saj.

Dëshmitë dhe provat e mbledhura nga Prokuroria pritet të shqyrtohen në gjykatë, ku të dyja mjeket do të përballen me akuzën e shkeljes së rëndë të detyrës dhe të standardeve profesionale mjekësore.

XS
SM
MD
LG