A po godet Rama oligarkët e Veliajt?
	Vendimi i fundit i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për t’i hequr të drejtën e tregtimit të barnave të rimbursueshme kompanisë CFO Pharma, në pronësi të Nadir Çaushollit – të njohur ndryshe si “oligarku i autobusëve të Unazës” – ka ndezur pyetje të forta mbi prapaskenat politike dhe ekonomike të këtij veprimi.
Zyrtarisht, vendimi lidhet me hetimin për rimbursime fiktive në tregun farmaceutik, të denoncuar nga kompania italiane Chiesi dhe partnerja e saj shqiptare Medicamenta. Këto kompani kanë dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj CFO Pharma-s, duke e akuzuar për mashtrim me dy barna të përdorura në trajtimin e astmës.
Pas këtij kallëzimi, Prokuroria urdhëroi kontrolle në ambientet e CFO Pharma-s dhe në kompani të tjera të lidhura me të, të dyshuara si “satelitë” në skemën e përfitimeve të paligjshme nga fondet publike të rimbursimit.
Por ajo që ngre dyshime është koha dhe konteksti i këtij vendimi.
Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala emëroi në krye të FSDKSH-së Arti Papajanin, i konsideruar si njeri i afërt me Klodian Allajbeun, një tjetër “superfitues” të tenderave në sektorin e shëndetësisë. Dhe menjëherë pas këtij emërimi, vjen goditja ndaj CFO Pharma-s, një kompani e lidhur me rrethin e Erion Veliajt.
Në këtë dritë, shumëkush e sheh këtë si një lëvizje të koordinuar politike, që mund të sinjalizojë një fazë të re brenda kampit qeverisës: “spastrimin e oligarkëve të gabuar” për t’u hapur rrugën të tjerëve më afër qendrës së re të pushtetit.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që emri i FSDKSH-së dhe i drejtuesve të saj përmendet në hetime. Edhe ish-drejtori Spartak Zekja është nën hetim nga SPAK, pas kallëzimeve për përfshirje në të njëjtën aferë. Zekja u shkarkua vetëm një muaj më parë, çka i jep të gjithë ngjarjes pamjen e një rotacioni brenda rrjetit të tenderave më shumë sesa të një pastrimi real të sistemit.
Nëse kjo është një goditje e sinqertë ndaj korrupsionit apo thjesht një rishpërndarje e plaçkës së tenderave, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: Rama po prek, me ose pa qëllim,oligarkët që deri dje konsideroheshin pjesë e “skuadrës së Veliajt”. Dhe ky zhvillim mund të shënojë fillimin e një lufte të re të brendshme për kontrollin e ekonomisë së shëndetësisë, një prej fushave më fitimprurëse të shtetit shqiptar.