Lidhje


Ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj padit shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut!

Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, kanë paditur shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e tyre gjatë kontrolleve të ushtruara më 9 mars 2023 në banesën e tyre dhe në telefonin e Hoxhës. Ata argumentojnë se kontrollet ishin të paligjshme, pasi në atë kohë Ahmetaj ishte ende deputet dhe, sipas Kushtetutës, banesa e një deputeti nuk mund të kontrollohet pa miratimin paraprak të Parlamentit.

 

Në kërkesën e depozituar në Strasburg, ankuesit pretendojnë shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton respektimin e jetës private dhe banesës, si dhe mungesë të një mjeti efektiv juridik për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, në kundërshtim me nenin 13 të Konventës. Gjykata Evropiane ka kërkuar nga qeveria shqiptare të sqarojë nëse vendimi për kontrollin ishte në përputhje me Kushtetutën dhe nëse ekzistojnë mjete të mjaftueshme procedurale për ta kundërshtuar atë.

 

Kontrollet e 9 marsit 2023 u shoqëruan me sekuestrimin e disa pasurive dhe llogarive bankare të Ahmetajt, ndërsa në banesën e tij në Hamallaj u gjet një telefon “BlackBerry” me komunikime të fshira me pronarët e inceneratorëve. Ahmetaj ndodhet në kërkim që prej korrikut 2023, pas hetimeve të SPAK për aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, ku dyshohet se ka përfituar shuma të mëdha parash nga kompanitë përfituese.

 

 

 

XS
SM
MD
LG