Lidhje


Atentati në Rinas, deputeti i PS: Vrasje të tilla ndodhin në çdo vend të botës!

E thënë me humorin e zi që e karakterizon politikën shqiptare, rruga drejt “Zbulimit të Amerikës” duket se është kthyer në një shteg të detyruar për çdo zyrtar të Rilindjes që përballet me pyetjen e tmerrshme: “A është Shqipëria një vend i sigurt?”

 

Dikur ishte Elisa Spiropali që na qetësonte shpirtin duke na kujtuar se edhe në “vende të zhvilluara si Amerika, Suedia apo Finlanda ndodhin raste të tmerrshme”, dhe se për këto bëhen edhe filma. Sot, stafetën e kësaj qetësie psikosociale e ka marrë deputeti socialist Ardit Bido.

 

I pyetur në një emision televiziv për atentatin mafioz pranë Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP-së, Muçi Shaljani, Bido dha përgjigjen standarde të “spiropalizimit”:

 

“Vrasje të tilla mafioze ndodhin në çdo vend të botës. Edhe në Amerikë kanë ndodhur. Sa ekziston krimi i organizuar, do të ketë vrasje të tilla.”

 

Ja pra, shqiptarë të dashur, jemi zyrtarisht të sigurt! Jo sepse na mbron Policia, por sepse jemi të barabartë me Amerikën. Kur dëgjoni për makina të djegura në Krujë dhe katër kallashnikovë në to, mos u shqetësoni, thjesht kujtoni: “Aha, kjo ndodh edhe në Suedi!”

 

Me një qetësi olimpike, zoti Bido e vendos Shqipërinë me 2.8 milionë banorë në të njëjtën kategori me SHBA-në me qindra milionë. Një leksion i rrallë në perspektivë: përderisa krimi ndodh edhe diku tjetër, atëherë s’paska asnjë problem që të ndodhë edhe këtu.

 

Nëse Rilindja e mat sigurinë e vendit me standardin “ndodh edhe jashtë”, atëherë pa dyshim jemi kampionë botërorë në normalizimin e absurdit.

 

Derisa ndonjë deputet të na sqarojë se “edhe atentatet në hyrje të aeroporteve janë tregues stabiliteti”, mund të flemë të qetë: Shqipëria është e sigurt, sepse, siç thotë Bido, “vrasje të tilla ndodhin kudo në botë.”/joq

XS
SM
MD
LG