Ish-zyrtari i LIBRA-së plas ‘bombën’: Ben Blushi ka përvetësuar qindra mijëra euro / Akuzat për skemë mashtrimi dhe lidhje me inceneratorët
Neritan Seferkolli, ish-zyrtar i lartë i Partisë LIBRA dhe dikur kandidat për kryetar të saj, ka hedhur akuza të rënda publike ndaj shkrimtarit Ben Blushi. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Seferkolli pretendon se Blushi ka përvetësuar fonde publike dhe ka qenë i përfshirë në skema mashtrimi të lidhura me financat e partisë dhe me aferën e inceneratorëve.
Në postimin e tij, Seferkolli shprehet se:
“Edhe sivjet Ben Blushi është hiti i Panairit të Librit. E në fakt, Beni është mësuar të provokojë me myslimanët, e ka bërë disa herë. Por Beni nuk është mysliman, ai është hajdut.”
Sipas tij, Blushi ka përfituar 265 mijë euro nga fondet e LIBRA-s, duke deklaruar shpenzime dhe aktivitete fiktive në bashkëpunim me administratorë të emëruar prej tij, të cilët më pas – siç pretendon Seferkolli – janë shpërblyer me vende pune.
Ai shkon edhe më tej, duke e lidhur Blushin me aferën e inceneratorit të Fierit, ku pretendon se bashkëshortja e tij ka rezultuar përfituese me 16 milionë euro, ndonëse “asnjë tullë nuk është vendosur”. Sipas akuzave, Blushi ka pastruar gjithashtu 8 milionë euro si pagë nga Top Channel, ndërsa ka dhënë me qira Top News për njerëz që më vonë rezultuan përfaqësues të Klodian Zotos dhe Mërtirit.
Në një tjetër akuzë të rëndë, Seferkolli thotë se Blushi ka fshirë anëtarësinë e Partisë LIBRA për të "fshehur gjurmët" e punësimeve të ish-drejtuesve të partisë në inceneratorin e Fierit.
Derimë tani, Ben Blushi nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre deklaratave.
Ky është një zhvillim në vijim. Do të përditësohet me çdo qëndrim zyrtar apo reagim të mëtejshëm./valanews