Nga 1 shkurti filloi konsulta në shtet me mjekun jashtë orarit zyrtar/ Nisëm që pritet të ketë impakt pozitiv në statusin ekonomiko-social të mjekut
Në spitalin Memorial të Fierit, i cili ka fituar kartën e autonomisë menaxheriale, praktikohet për herë të parë, konsulta me mjekun, jashtë orarit zyrtar të punë, pasi të kenë mbaruar vizitat e planifikuara nga sistemi i referimit. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli zbuloi ekskluzivisht në një intervistë në Report Tv, se tarifa që qytetarët do të paguajnë në spitalin memorial të Fierit, është caktuar të jetë 3 mijë lekë të rinj. Kjo praktikë e dyfishtë pune e mjekut brenda spitalit publik ku ai punon, pritet të zbatohet së pari në 5 spitalet që kanë fituar autonominë, siç janë së fundmi, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit.
Në të gjitha rastet, përfshirja në këtë praktikë te re, do të jetë vullnetare.
“Shërbimi ofrohet vetëm për konsultat. Mjekët të cilët plotësojnë kushtet dhe dëshirojnë të ushtrojnë praktikën private. Për mjekun nuk ndryshon ndonjë gjë, sepse çdo mjek ka të drejtën sipas legjislacionit që të punojë privatisht. Të gjithë e dimë që mjekët që punojnë në publik kanë edhe studiot e tyre private pasdite, ose kanë kontrata me spitale të tjera me studio të tjera private. Edhe aktiviteti privat do infrastrukturë për tu zhvilluar siç duhet.”- u shpreh zv.ministrja e Shëndetësisë.
Numri 2 i ministrisë së Shëndetësisë, Mira Rakacolli thotë se janë bordet e spitalit ata që përmes kontratave individuale me mjekët që pranojnë të punojnë jashtë orarit, caktojnë edhe tarifën e konsultës.
“Janë rregulla që i përcakton bordi i spitalit për çdo mjek në bazë të kontratës individuale që ata bëjnë. Pra nuk është një gjë që vendoset nga qeveria. Konslutat në spitale të ndryshme është e ndryshme, specialitete të ndryshme e kanë të ndryshme rradhën e pritjes. Është dinamike për shembull ka herë që është më shumë, ka herë që është më pak, në momentin që ne po flasim për shembull në QSUT mesatarishtë lista e pritjes për një konsultë për patolog është 38 ditë, pra më shumë se një muaj, ndërsa neurologu e ka 3 javë, pra kjo është mesatarja. Por ka mjekë të cilët mund ta kenë edhe më të gjatë, edhe më të shkurtër në të njëjtin institucion, pasi të gjithë e dimë që është e drejta e pacientit për ta zgjedhur mjekun”- sqaroi zv.ministrja.
30 % e tarifës, do të menaxhohet nga vetë spitali për nevojat që që nuk plotësohen dot nga buxheti i shtetit.
“Spitalet plotësojnë, marrin një aparaturë, spitalet autonome kanë të drejtë të kontraktojnë edhe një mjek me kohë të pjesëshme për të plotësuar një shërbim që ata mendojnë se mund t’ju vlejë qytetarëve që kanë nevojë për të”-shtoi Rakacolli për /Report Tv.