Lidhje


Drejtësi "vret" për herë te dytë Egli Progen, lirohen të gjithë vrasësit

 
Prokuroria e Korçës i ka dhënë një tjetër goditje të rëndë besimit të qytetarëve te drejtësia, duke dështuar tërësisht të zbardhë vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga. 
 
Ajo që familja e quajti një tragjedi të parë, sot po e përjeton për herë të dytë! Kjo pasi drejtësia shqiptare ka lënë të lirë të gjithë të dyshuarit, jo sepse janë provuar të pafajshëm, por sepse prokuroria nuk arriti të mbyllë hetimet brenda afateve ligjore.
 
 
 
Tre ditë më parë, Denis Meçe dhe Leonidha Guçe, të vetmit që ndodheshin ende në paraburgim për ngjarjen e 10 gushtit 2024, lanë qelitë pa asnjë vështirësi. Gjykata vendosi për ta masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi prokurorët e çështjes nuk kishin asnjë rezultat konkret nga hetimet, duke lejuar që afatet e paraburgimit të skadonin.
 
 
Avokatët e të paraburgosurve nuk patën nevojë për argumente të komplikuara, mjaftoi të përmendnin “paaftësinë e prokurorisë” për të çuar përpara hetimin. Dhe gjyqtarja Luljeta Kole, e njëjta që një vit më parë tentoi t’i zbusë akuzën Denis Meçes nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”, kësaj here nuk ngurroi ta nxjerrë krejtësisht nga qelia.
 
 
 
Ndërkohë, tre të akuzuarit e tjerë për “moskallëzim krimi”, Arjan Manellari, Voltan Shkulaku dhe Andi Shkulaku, vazhdojnë jetën normalisht nën masën “detyrim paraqitjeje”. Me ritmin që po ecin hetimet, nuk është aspak e habitshme që shumë shpejt edhe kjo masë të “shkrihet” dhe çështja të tretet në sirtarët e prokurorisë, ashtu si qindra të tjera.
 
 
 
Në vend që të kërkojë drejtësi për një jetë të humbur, Prokuroria e Korçës po ofron një spektakël të turpshëm dështimi administrativ, duke e vrarë sërish Egli Progën në sytë e familjes së tij dhe të gjithë opinionit publik.
 
 
 
XS
SM
MD
LG