SPAK “bastis” Ministrinë e Financave për gjobën 120 mln euro të Bankers, Gazheli e mbajti 6 vite në sirtar
Por menjëherë pas plotësimit të procesverbalit të gjobës nga dega e doganës së Fierit, Bankers Petroleum u ankua në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë duke e cilësuar gjobën si të paligjshme, pasi sipas saj ajo nuk ka patur detyrim për të paguar akcizën e holluesit. Belinda Ballukiu iu drejtua me shkresë ministrisë së Financave duke i kërkuar që të konsultohej me avokaturën e Shtetit.
Rrjedhimisht, ministrja e atëhershme e Financave, Anila Denaj udhëzoi doganën që të pezullonte përkohësisht vendosjen e gjobës, me qëllim që kjo çështje të konsultohej me Avokaturën e Shtetit për të mos e ekspozuar Shqipërinë përballë rrezikut të një arbitrazhi.
Pas udhëzimit të ministrisë së Financave, Dogana e Fierit e pezulloi vendosjen e gjobës. Kjo ishte zanafilla e një kalvari neglizhencë dhe paligjshmërie.
Ligji shqiptar përcakton se çdo vendim përfundimtar mbi gjobat administrative duhet të përpunohet brenda 6 muajsh nga momenti i vendosjes. Por në këtë rast, gjoba u mbajt pezull për gati 7 vite, pavarësisht korrenspodencës mes institucioneve. Vetëm një muaj më parë, Dogana e Fierit vendosi riaktivizimin e gjobës 120 milionë euroshe, pasi e kishte mbajtur të pezulluar për vite të tëra.
Gazheli e mbajti gjobën pezull
Portali Skyweb.al raportoi pak ditë më parë mbi ekzistencën e të paktën dy shkresave, sipas të cilave drejtuesit e Doganës së Fierit i kanë rikujtuar kreut të Doganave, Gent Gazheli gjobën ndaj Bankers, duke e njoftuar për nevojën që të procesohej, pasi po mbahej pezull prej tij.
Megjithatë, pavarësisht njoftimeve me email dhe me shkresë zyrtare, vendimi nuk u trajtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Gjatë vitit 2021, Gazheli është njoftuar disa herë nga ish-kreu i Doganës së Fierit, Olti Kuke për afatin ligjor të gjobës, por sërish nuk ka marrë asnjë vendim, duke e mbajtur çështjen të pezulluar.
Vetëm pak ditë më parë, pas shpërthimit të skandalit dhe referimit të dosjes nga Prokuroria e Fierit drejt SPAK-ut, Drejtoria e Doganave ka rikthyer në vëmendje çështjen, duke tentuar të procesojë vonë një vendim që duhej marrë pesë vite më parë./kapitali.al