Po përballemi me një brez që nuk njeh më kufij!
Tuesday, 25 November 2025 08:47
Një mësuese ka ndarë një mesazh të fortë për gjendjen e sotme në shkolla, ku figura e mësuesit po përballet me mungesë respekti dhe sjellje gjithnjë e më problematike nga nxënësit. Ajo tregon se orët e mësimit shpesh shndërrohen në kaos, ndërsa mësuesit mbeten të pambrojtur dhe të papërkrahur, duke u detyruar të marrin role që nuk u takojnë, si roje disipline apo psikologë.
“Mësuesi është njeri, detyra e tij është të mësojë, jo të bëhet polic”, shprehet ajo, duke i bërë thirrje prindërve të marrin përgjegjësinë që u takon në edukimin e fëmijëve. Mesazhi i saj vë theksin te respekti dhe vlerësimi i figurës së mësuesit, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur cilësinë e arsimit dhe të ardhmen e fëmijëve.
"MOS E ULNI FIGURËN E MËSUESIT – AJO ËSHTË E SHENJTË
Në vitet e fundit, figura e mësuesit po përballet me sfida që nuk i ka njohur kurrë më parë. Në shumë klasa sot, mësuesit punojnë përballë një brezi nxënësish që testojnë çdo kufi: nuk marrin libra, nuk dëshirojnë të mësojnë, ndërhyjnë në orë, ofendojnë mësuesin dhe shokët e klasës, e shpeshherë e shtyjnë procesin mësimor në kaos. Nga një orë prej 45 minutash, vetëm 5 minuta arrin t’i mbijetojë mësimit të vërtetë.
Mësuesi është njeri.
Detyra e tij është të mësojë, jo të bëhet polic, roje sigurie, apo gardian disipline. Askush nuk e mbron më sot figurën e mësuesit. Përkundrazi, shpesh herë përballet me tallje e fyerje edhe jashtë mjedisit të shkollës.
Nuk jam dhe nuk do të jem kurrë pro dhunës. Por realiteti i sotëm tregon se shumë mësues shpesh shtyhen në situata ku detyrohen të dalin nga vetja. Dhe kur prindi thotë “Unë s’kam çfarë të bëj, nuk e ndryshoj dot sjelljen e fëmijës tim”, çfarë pritet të bëjë mësuesi përballë 30 nxënësve, prej të cilëve 20 tallen, ofendojnë dhe prishin orën? Shkolla nuk është institucion riedukimi. Është një institucion arsimor. Nëse fëmija vjen pa edukatë nga shtëpia, as mësuesi, as shkolla nuk mund të bëjnë mrekulli. Prindër, merrni përgjegjësinë që ju takon.
Ndihmoni fëmijët tuaj, edukojini, mësoni respektin. Mësuesi nuk mund t’i zëvendësojë prindërit. Ai është aty për dije, karakter dhe udhëzim profesional – jo për të bërë rolin e policit apo psikologut të përditshëm.
Unë jam mësuese.
Vij nga një familje mësuesish prej 40 vitesh. E megjithatë edhe unë, në një orë mësimi, jam përballur me sjellje të papranueshme: një nxënës bën si qen, si mace, ngacmon shokun, hedh librin, prish orën. Kam përdorur durimin dhe mirësjelljen, kam ngritur zërin, kam trokitur librin në bankë – por asgjë nuk funksionoi. A jam një mësuese e paaftë, apo po përballemi me një brez që nuk njeh më kufij dhe respekt? Shpesh dëgjojmë: “Paguhemi për këtë punë.” Po, paguhemi. Por paguhemi për dije, për etikë, për përgatitje – jo për të mbajtur rendin e një klase të shthurur.
Në një ditë të vetme, mësuesi është mësues, psikolog, roje, polic, ndërmjetësues, këshilltar – dhe mbi të gjitha, një zemër e madhe që përpiqet të besojë ende te fëmijët.
Prandaj, nxënës dhe prindër, ju lutem: respektoni mësuesin. Kuptoni rolin e tij. Ndihmojeni. Sepse vetëm duke e mbrojtur figurën e mësuesit, mbrojmë edhe të ardhmen e fëmijëve tanë."