Skandal në ISSH/ Mbi 11 mijë pensione paguar pas vdekjes, miliona lekë dëm buxhetit!
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Institutin e Sigurimeve Shoqërore ka zbuluar një sërë parregullsish serioze në pagesat për përfituesit gjatë vitit 2024, përfshirë dublime pagesash, pagesa pas vdekjes së pensionistëve dhe shuma të dhëna jashtë afateve.
Vetëm brenda vitit janë evidentuar 821 raste në të gjithë vendin, me një dëm financiar prej 36.9 milionë lekësh, ndërsa deri në fund të dhjetorit janë rikuperuar rreth 29 milionë lekë. Në Shkodër janë konstatuar gjithashtu shkelje të rënda, si 46 mandate pagesash pa firmën e përfituesit, me vlerë mbi 13.7 milionë lekë.
Një nga gjetjet më shqetësuese të auditimit lidhet me pagesat e kryera pas vdekjes së pensionistëve. Nga janari deri në dhjetor 2024 janë regjistruar 11,030 raste të tilla, me një dëm prej 114.8 milionë lekësh. Megjithëse pjesa më e madhe është rikuperuar, 647 raste që kapin vlerën 14.7 milionë lekësh vijojnë të mbeten të paarkëtuara dhe kërkojnë ndjekje të mëtejshme administrative dhe ligjore.
Auditorët i kërkojnë ISSH-së të përshpejtojë proceset e rikuperimit të shumave të mbetura dhe të forcojë mekanizmat e kontrollit paraprak për të shmangur përsëritjen e këtyre problematikave. Sipas raportit, rritja e transparencës dhe kontrollit do të ndihmojë në reduktimin e humbjeve financiare dhe në menaxhimin më efikas të fondeve publike./joq