Lidhje


Klodjan Braho është zgjedhur si kreu i ri i SPAK

Prokurori i posaçëm Klodjan Braho është zgjedhur drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme. Ai ka marrë 7 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas përfundimit të intervistës mes katër kandidatëve pjesëmarrës.

 

I dyti, u rendit prokurori Adnan Xholi, i cili mori 3 vota dhe garonte për herë të dytë për këtë post, por sërish nuk mundi të fitonte. Edhe prokurori Elvin Gogaj mori 1 votë, duke mos e fituar dot garën për të pasur Altin Dumanin. Doloreza Musabelliu mori 0 vota.

 

Klodjan Braho është prokuror i SPAK, i emërua në këtë institucion më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut.

 

Ai ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.

 

Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas, u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.

 

Në vitin 2015, Klodjan Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.

 

Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

 

Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.

XS
SM
MD
LG