Balluku rikthehet në detyrë! Gjyqtarët që votuan pro, 3 faqe vendim pa arsyetim të detajuar
Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke pezulluar zbatimin e vendimit të GJKKO-së deri në seancën publike të parashikuar më 22 janar 2026. Vendimi u mor nga shumica e trupës gjykuese, e përbërë nga Fiona Papajorgji, Sonila Bejta, Genti Ibrahimi, Marjana Semini dhe Sander Beci, të cilët votuan pro pranimit të ankimit të kryeministrit Edi Rama. Në thelb, shumica vlerësoi se zbatimi i menjëhershëm i masës së GJKKO-së mund të sillte pasoja për interesin publik dhe funksionimin e ekzekutivit.

Megjithatë, dokumenti i vendimit ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë e arsyetimit të shumicës. Në pjesën përkatëse të argumentimit, 4 faqet e para, shumica pro kufizohet në një fjali të vetme, pa një analizë të detajuar të shkeljeve konkrete kushtetuese që, sipas praktikës së saj, do të duhej të justifikonin pezullimin e një vendimi gjyqësor penal. Mungesa e një arsyetimi të zgjeruar e bën vendimin të duket më shumë si një masë praktike për të shmangur efektet e menjëhershme të pezullimit, sesa si një ndërhyrje e mbështetur në standarde të qarta kushtetuese.

Në krahun tjetër, pakica e Gjykatës Kushtetuese, e përfaqësuar nga gjyqtarët Marsida Xhaferllari (kryesuese) Ilir Toska dhe Asim Vokshi, mban një qëndrim të fortë kritik. Në mendimin e tyre kundërshtues, 3 faqet e fundit të vendimit, ata theksojnë se nuk ekziston urgjencë reale dhe konkrete që të justifikojë pezullimin e vendimit të GJKKO-së, se nuk provohen pasoja të pakthyeshme për interesin publik dhe se ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese në këtë fazë cenon sigurinë juridike dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Pakica paralajmëron se ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm, duke hapur rrugën që vendimet e gjykatave të zakonshme të pezullohen lehtësisht përmes ankimeve politike, pa një filtër të fortë kushtetues. Në këtë kontekst, ndarja e thellë mes shumicës dhe pakicës e shndërron vendimin jo vetëm në një çështje juridike, por edhe në një test të besueshmërisë së vetë Gjykatës Kushtetuese./JOQ