6500 sms për tendera, jahte, apartamente! USB-ja e kyçur në Kuvend do të fundosë Belinda Ballukun
Rreth 6500 mesazhe telefonike dhe dokumente të tjera përbëjnë përmbajtjen e një USB-je, e cila sipas SPAK-ut, tregon aktivitetin kriminal të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, si dhe të vartësve të saj dhe zyrtarëve të tjerë. Mesazhet dhe dokumentet përputhen me prova shkresore dhe përfshijnë manipulime të tenderave, ku sipas hetimeve, Balluku dyshohet për paracaktim dhe korrupsion në të paktën 11 procedura prokurimi. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se këto mesazhe nuk lidhen vetëm me Unazën e Madhe, por edhe me tendera të tjerë të mëdhenj si ndërtimi i rrugës Thumanë-Kashar (245 milionë euro), rruga Porto Romano-Durrës (12 milionë euro) dhe mirëmbajtja e akseve të veriut (440 mijë euro).
Hetimi i SPAK ka arritur të krijojë bindjen se në këmbim të këtyre tenderave janë shpërndarë apartamente, të cilat regjistroheshin me emra të tjerë për të fshehur përfitimet e paligjshme. Po ashtu, mesazhet përmbajnë referenca për mjete lundrimi “jahte”, duke çuar hetuesit drejt identifikimit të episodeve të tjera të mundshme të abuzimit me detyrën dhe pasurimit të paligjshëm. Përmes metodave speciale të hetimit, prokuroria ka zbuluar gjithashtu presione të ushtruara nga Balluku ndaj një prej vartësve të saj, edhe pas marrjes së statusit të të pandehurit dhe pa u pezulluar ende nga detyra.
USB-ja me provat e Ballukut është depozituar në kasafortën e Kuvendit dhe pritet të përdoret si bazë kryesore për vendimin e deputetëve mbi heqjen e imunitetit dhe mundësinë e arrestimit të ministres. Prokuroria e Posaçme, nën drejtimin e Dritan Prençit, argumenton se kërkesa për masa më të rrepta sigurie, përfshirë ndalimin e lëvizjes jashtë vendit, lidhet me provat e reja që nuk kanë qenë pjesë e vendimeve të mëparshme gjyqësore dhe rrezikojnë që Balluku të kryejë krime më të rënda./joq