Universiteti ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ lavatriçe pastrimi parash dhe fabrikë diplomash, presidenti Jerome Ndo Mih largon me çanta eurot jashtë vendit, aktiviteti mafioz i priftit nga Kameruni në Tiranë
Në datë 26 janar 2023, u kap në flagrancë gjatë kontrollit në Rinas, shtetasi Jerome Ndo Mih, i biri i Benedict dhe i Angelina, i datëlindjes 28.09.1973, lindur në Kamerun dhe banues në Tiranë. Ky shtetas priste të udhëtonte nga aeroporti i Rinasit për në Romë, ku gjatë kontrollit fizik, në valixhen e tij dhe në çantën e dorës, iu gjetën të fshehura në çantë dhe të paketuara e të futura në zarfe, plot 42.300 euro. Për këtë arsye, Jerome Ndo Mih u shoqërua për në komisariatin e policisë Rinas.
Prifti nga Kameruni Jerome Ndo Mih është President i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, një lavatriçe pastrimi parash dhe fabrikë diplomash për studentë shqiptarë, por sidomos për italianët që nuk diplomohen dot në universitetet në Itali dhe vijnë për të blerë diploma në Shqipëri. Kapoja e të ashtuquajturit universitet Jerome Ndo Mih arriti t’a mbyllte çështjen penale me dallavere, duke vijuar largimin e parave të pista me çanta nga Shqipëria.
Përveç emrit, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” nuk ka asnjë lidhje me Kishën Katolike, por thjesht është një universitet privat që falë disa marrëveshjeve të dyshimta prodhon të ardhura në Shqipëri, duke larguar paratë e padeklauara jashtë vendit dhe përdorur emrin ‘katolik’ për të mbuluar punët e pista.
Numri i madh i studentëve italianë në degën e mjekësisë justifikohet me faktin që studentët që nuk arrijnë të kalojnë testin e pranimit në Itali, të gjejnë mënyrën të pranohen në një universitet që jep titull të vlefshëm në BE. Universitete të tilla ka edhe në vende si Rumania dhe janë kthyer në një biznes shumë fitimprurës për pronarët me natyrë mafioze, si prifti i ‘pafajshëm’ nga Kameruni, i cili mbledh paratë e pista dhe i largon me çanta nga Shqipëria.
Pjesë e këtij universiteti me aktivitet të dyshuar kriminal është edhe deputeti i PD-së, Tritan Shehu, i cili krahas pagës 30 mijë euro si ligjvënës, deklaron edhe rreth 44 mijë euro pagë në vit nga biznesi i priftit nga Kameruni, i cili dyshohet se është përfshirë në skema mashtrimi, evazion fiskal, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.

Ironia qëndron në faktin se në vitin 1967 Tritran Shehu mbështeste aksionin e regjimit komunist për të shembur kishat dhe xhamitë, ndërsa sot është pjesë e një piramide me maskë fetare. E si për t’i treguar partisë që e kreu detyrën, i fut edhe një foto me liderët e kohës, si një komunist i mirë.

Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” është pjesë e Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë, me president Padre Binu Peediyeckal Devassia, një personazh me aktivitet të dyshimtë, okult dhe që nuk shfaqet në publik. Fondacioni karakterizohet nga mungesa e thellë e transprencës dhe qarkullimi i miliona eurove, të cilat lëvizin nga Tirana dhe përfundojnë në offshore.

Një dosje penale në itali tregon se Fondacioni Zoja e Këshillit të Mirë, në maskën e bamirësisë dhe amanetit të Nënë Terezës, ka zhdukur miliona euro në Tiranë me projekte fiktive dhe përmes skemave të mashtrimit./Marrë nga prapaskena.com