Dosja e AKSH-it/ Si Ermal Beqiraj fuste kompani fiktivisht për të fituar tenderat nga 'Soft & Solution'
Janë siguruar dosjen hetimore të SPAK për tenderat e AKSH-it. Në një pjesë të dosjes, siç shihet dhe mëposhtë, biznesmeni Ermal Beqiraj merrte 'tenderat' e AKSH-it, duke futur kompani në mënyrë fiktive për të rritur numrin e operatorëve në pjesëmarrje.
Në një tender për "Implementimi i sistemit të qendërzuar për dokumentet me nënshkrim elektronik 2.0, modulit të administratës publike", thuhet se kanë marrë pjesë dhe më pas janë skualifikuar operatorët "MC Networking" dhe "Fastech". Këtë tender më vonë e ka fituar "Soft & Solution" e Ermal Beqirajt, që kishte dhe ofertën më të lartë në tender.
Pjesë nga Dosja e SPAK:
Procedura e prokurimit "Implementimi i sistemit të qendërzuar për dokumentet me nënshkrim elektronik 2.0, modulit të administratës publike", në të cilën evidentohen dokumentet e mëposhtme: Procesverbal për shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave i datës 18.03.2024, përbërë nga shtetasit Suela Ago, Klajdi Kokalla dhe Helena Çupi, në të cilën thuhet se në këtë procedurë kanë marrë pjesë; -"3i Solution" sh.p.k. me ofertë 462 307 993 ALL; - "MC Networking" sh.p.k. me vlerë 501 026 292.40 ALL; - "Soft & Solution" me vlerë 513 579 899 ALL dhe "Fastech" sh.p.k. me vlerë 543 211 897 ALL. Nga shqyrtimi i këtyre ofertave ka rezultuar se "3i Solution" sh.p.k nuk ka dorëzuar sigurimin e ofertës, sipas shtojcës 3. Gjithashtu ka paraqitur vërtetim realizimi të Kontratës nr. 41/1 datë 15.04.2021 në vlerën 65 877 427 e cila nuk përbën 40% të vlerës së kontratës që prokurohet;
- "MCN" sh.p.k. ka ofertuar me subjekt mbështetës "UNI Systems", nuk plotëson kushtin për shërbime të tjera të ngjashme të realizuara gjatë tre viteve të fundit financiar me vlerë jo më të vogël se 40% të vlerës së përllogaritur të kontratës; kontrata që ka kryer me Sekretariatin e Shtetit në Greqi në vitin 2020 vërtetohet me fatura jo të fiskalizuara; vërtetimi i projektit me “Alpha Bank” nuk shoqërohet me fatura tatimore shitjeje; vërtetimi i realizimit të kontratës me Ministrinë e Politikës Digjitale nuk është i vulosur me vulë apostile; fatura me nr. 160/2024 nuk ka të parashikuar shërbimin e kryer.
Pra, ky operator nuk plotëson kapacitetin teknik: Dëshmi të shërbimeve të mëparshme; - "Soft Solution" sh.p.k. i plotëson të gjitha kriteret dhe është vlerësuar ofertë e vlefshme; - "Fastech" sh.p.k nuk ka paraqitur sigurimin e ofertës duke mos përmbushur kriteret e vendosura në DST. Në këto kushte është klasifikuar vetëm një ofertë e vlefshme, ajo e "Soft & Solution".
Nga kjo procedurë rezulton se dy subjekte kanë ofertuar pa sigurim oferte me qëllim për të rritur fiktivisht numrin e operatorëve konkurrues në procedurë. Subjekti "MCN" është skualifikuar pa kërkuar informacion shtesë lidhur me dokumentet e paraqitura nga ky operator për punë të ngjashme si vërtetim me vulë apostile, fatura tatimore etj. Skualifikimi është bërë me qëllim për t'i hapur rrugë subjektit "Soft & Solution" i cili ka qenë dhe me ofertë të lartë ekonomike se "MCN".
