Lidhje


“Zari” i Ilir Beqajt bleu 10 milionë euro “çokollata” me paratë e AKSHI-t

Hetimet e SPAK mbi dosjen e AKSHI-t kanë nxjerrë në dritë një nga skemat më të pazakonta të transferimit të fondeve publike. Sipas të dhënave të reja nga dosja hetimore, plot 10 milionë euro të destinuara për shërbime teknologjike (IT), kanë përfunduar si pagesa për fatura çokollatash, biskotash dhe veshjesh.

 

Në qendër të këtij hetimi janë biznesmenët Andis Papa, pronar me letra i "Fastech" por i denoncuar në media si zari i Ilir Beqaj pasi dyshohet se ky i fundit është në fakt pronari i vërtetë; si dhe Rogers Rryta administrator i "Mega Distribution", ndaj të cilëve GJKKO ka caktuar tashmë masën e sigurisë "bllokim i pasaportës".

Absurdi: Miliona euro IT për produkte "Ulker"

Sipas dëshmive të mbledhura nga BKH, rezulton se kompanitë që fitonin tenderat e AKSHI-t, konkretisht "Fastech" dhe "Soft & Solution", kanë transferuar shuma marramendëse drejt distributorit ushqimor "Mega Distribution".

  • Periudha: 2018, 2020 dhe 2021.
  • Shuma: Mbi 10 milionë euro.
  • Arsyetimi i faturave: Shitje biskotash dhe çokollatash të markës "Ulker".

 

Përplasja e dëshmive: Nga "shërbime teknologjike" te "biskotat nga Turqia"

Ajo që ka forcuar dyshimet e hetuesve për një skemë të mirëfilltë pastrimi parash është ndryshimi i versioneve të biznesmenëve sapo janë vënë përpara dokumenteve.

Rogers Rryta (Mega Distribution): Ai ka deklaruar me përgjegjësi përpara BKH-së se biznesi i tij nuk ka asnjë lidhje me fushën e teknologjisë apo produkteve IT. Sipas tij, 10 milionë eurot janë thjesht pagesa për mallra ushqimorë që ai u ka shitur kompanive të IT-së. Ai ka mohuar njohjen me emrat kyç të dosjes si Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj apo Ermal Beqiri.

 

Andis Papa (Fastech): Fillimisht, Papa ka pretenduar se blerjet përfaqësonin shërbime teknologjie. Por, kur hetuesit i kanë treguar se "Mega Distribution" tregton vetëm ushqime, ai ka ndryshuar qëndrim.

"Siç ju thashë, nuk e di mirë çfarë kemi blerë... mbaj mend që ata sillnin produkte nga Turqia," mësohet të ketë thënë Papa, duke mos dhënë një shpjegim bindës se pse një kompanie teknologjike i duheshin 10 milionë euro biskota.

 

Dyshimet e SPAK

Hetuesit dyshojnë se "Mega Distribution" është përdorur si një urë kalimi për të nxjerrë paratë e tenderave jashtë sistemit të IT-së, duke i kamufluar si marrëdhënie tregtare për mallra konsumi. Skema dyshohet se ka shërbyer për të "pastruar" paratë që dilnin nga AKSHI, duke i kthyer ato në likuiditet përmes faturave fiktive apo mbifaturimeve për produkte që nuk kanë asnjë lidhje me mirëmbajtjen e sistemeve shtetërore.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse këto fonde janë përdorur më pas për të korruptuar zyrtarë të lartë apo për t'u ri-investuar në pasuri të tjera.

 
XS
SM
MD
LG