Lidhje


Do ja *i robt”/ Si Ergys Agasi përgatiste “cunat” për presion ndaj Damian Gjiknurit

Dosja e SPAK-ut për aferën e AKSHI-t zbardh mënyrën se si një grup personash të lidhur me pushtetin dyshohet se përdorte një skemë të organizuar pengmarrje, kërcënimi dhe presioni, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga koncesione dhe procedura publike. Presionit nuk i kishte shpëtuar as Damian Gjiknuri.

 

Sipas dokumenteve hetimore, Ergys Agasi, në komunikime më 06.03.2019 me Alqi Bllako, flet për një “situatë” ku ish-ministri Damian Gjiknuri dyshohet se kishte krijuar “pengesa” për realizimin e përfitimeve të paligjshme të këtij grupi.

 

Nga përmbajtja e bisedave të sekuestruara, SPAK identifikon se personi i quajtur “Labi” është Elgerti Bixha. Sipas dosjes, Agasi synonte ta emëronte Bixhën administrator në një shoqëri private, e cila kishte fituar një koncesion me ministrinë e drejtuar në atë kohë nga Gjiknuri.

 

Hetimi thekson se Gjiknuri konsiderohej si “pengesë” për realizimin e këtyre përfitimeve, çka çon në diskutime për mënyra të tjera presioni për ta “hequr” këtë pengesë.

 

Mesazhi kyç: “Do ja *i robt, do fusim cunat pastaj”


Në një mesazh të datës 06.03.2019, ora 21:54:43, Ergys Agasi shprehet tekstualisht:

“Do ja *i robt do fusim cunat pastaj.”

Sipas SPAK-ut, kjo frazë interpretohet si përdorim i lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për të ushtruar presion dhe për të eliminuar pengesat ndaj interesave të grupit.

 

Skemë e përsëritur edhe në raste të tjera


Dosja lidh këtë rrethanë edhe me pengmarrjen e shtetasit Gerond Meçe, duke theksuar se i njëjti “modus operandi” ishte përdorur më herët edhe ndaj ish-ministrit Gjiknuri, përmes ankesave të shumta pranë KPP-së, me qëllim bllokimin e procedurave të prokurimit pranë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

 

SPAK vlerëson se krijimi artificial i pengesave administrative, presioni dhe përdorimi i rrjeteve informale përbëjnë një skemë të qëndrueshme kriminale, të ndërtuar mbi të njëjtën logjikë veprimi.

 

Dyshime të forta për rolin e Agasit


Në përfundim, SPAK thekson se dyshimi i arsyeshëm ndaj Ergys Agasit, si organizator dhe pjesëmarrës në pengmarrjen e Gerond Meçes, përforcohet edhe nga elementë të tjerë hetimorë, përfshirë automjetin e përdorur në pengmarrje, i cili lidhet drejtpërdrejt me personat nën hetim. Automjeti i përkiste Endrit Merkaj. Ky i fundit, sipas SPAK, së bashku me vëllain Klajdi Merkaj, janë të lidhur me grupin kriminal “Çopja” dhe në hetim në lidhje me pastim parash. /LAPSI.AL

XS
SM
MD
LG