“Afera” miliona euro/ Edi Rama emëroi Leonidha Çobon e “Bankers” këshilltar të Ballukut
Kryeministri Edi Rama ka një lloj sensi tërheqje të fuqishme, një lloj magnetizimi njerëzor, për të afruar pranë tij personazhe që kanë shumë pikëpyetje mbi integritetin e tyre. Për disa nga këta personazhe, Rama është justifikuar se “i kanë ngrënë dardha e mollë” pas kurrizit. Ndërsa, për disa të tjerë, ai duket se i ofron vetë ata që dyshohet se “kanë ngrënë fruta miliona dollarëshe” nga fondet e Shtetit.
Leonidha Çobo është ish-administratori jetëgjatë i kompanisë koncesionare të naftës, “Bankers Petroleum”. Ai ka mbajtur funksionin e lartë në shoqërinë private prej vitit 2005 e deri në vitin 2016.
Përgjatë kësaj periudhe, ai dyshohet se i ka krijuar Buxhetit të Shtetit një dëm kolosal financiar, nëpërmjet disa veprave penale, si “Krijimi i skemave mashtruese, lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”; “Fshehja e të ardhurave”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrës nga organet tatimore”.
Çobo u mbajt në paraburgim prej Korrikut 2025 deri në nëntor 2025, kur Gjykata e Posaçme e shkallës së parë vendosi ndaj tij “arrest në shtëpi”. Në fillim, ai dhe një dyzinë zyrtarësh të tjerë të shoqërinë “Bankers Petroleum”, u hetuan nga Prokuroria e Fierit, e cila më pas e kaloi për kompetencë pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Kjo e fundit, duke i shtuar hetimit edhe veprën penale të “Grupit të Strukturuar kriminal”, kanë marrë vendimin e gjykatës për ta mbajtur Leonidha Çobon në “arrest me burg”. Gjykata e Posaçme e shkallës së parë, në 4 nëntor 2025, caktoi ndaj tij masën “arrest në shtëpi”.
Në fund të nëntorit 2025, Çobo dhe avokatët e tij kërkuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit heqjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”. Sipas tyre, aktet e Prokurorisë nuk provojnë akuzën ndaj Leonidha Çobos dhe nuk justifikojnë masën e sigurisë. Ndërsa prokuroret e çështjes, Anita Jella dhe Enkelejda Millonai kërkuan rikthimin e tij në burg.
Trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm, në 4 dhjetor 2025, la në fuqi masën “arrest në shtëpi” për Leonidha Çobon. Në aktet gjyqësore, të konsultuara nga “Boldnews.al”, rezulton ndër të tjera një fakt interesant-punësimi i Leonidha Çobos si këshilltar zv.kryeministres Belinda Balluku, me firmën e kryeministrit Edi Rama, pasi ai ishte larguar nga drejtimi i shoqërisë “Bankers Petroleum”.
Çobo, këshilltar i Ramës
Prokuroria e Posaçme, në kërkesën e saj për mbajtjen në arrest të Leonidha Çobos, ka renditur një seri të dhënash, të cilat krijojnë dyshime se ai, në cilësinë e Administratorit, ka përdorur skemë mashtruese, për të shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit, në rendin e disa qindra mijëra eurove.
Sipas Prokurorisë, Çobo ka krijuar pasuri të mëdha me burime të pajustifikuara. Dhe, gjithnjë sipas SPAK-ut, Çobo, për të shmangur detyrimin për deklarimin e pasurisë së tij, u detyrua të japë dorëheqjen nga pozicioni i Këshilltarit të kryeministrit, i emërua prej Edi Ramës në verën e vitit 2022.
Ky argument i përdorur nga Prokuroria e Posaçme hodhi dritë mbi një marrëdhënie të panjohur publikisht mes Leonidha Çobos e Edi Ramës.
Avokatët mbrojtës të ish-administratorit të “Bankers” e konsideruan qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme si një justifikim të pabazuar, megjithatë dhanë detaje për punësimin e Çobos nga Rama.
“Për të qartësuar paragjykimet e prokurorisë, është e vërtete se klienti ynë (Leonidha Çobo, shën. red.) me vendimin nr. 98 datë 15.06.2022 të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, është emëruar në detyrën e këshilltarit të Zv/Kryeministrit, por këtë detyrë e ka mbajtur deri në datën 01.07.2022, pasi ka qënë njëkohësisht në tratativa punësimi nga një kompani e huaj prestigjoze në fushën energjitike VOLTALIA, për të cilën ka pranuar edhe një ofertë punësimi në datën 19/07/2022, në cilësinë e Administratorit të Përgjitshëm për Shqipërinë, me një pagë vjetore prej 15,000,000 lekë në vit, plus bonus performance prej 30% mbi këtë pagë. Kjo është arsyeja përse klienti nuk ka pranuar një detyrë shtetërore dhe jo paragjykimi i prokurorisë për mosdeklarim të pasurisë”, citohet mbrojtja e Leonidha Çobos në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Dyshimet e SPAK për Leonidha Çobon
Prokuroria e Posaçme dyshon se Leonidha Çobo, me veprimet e tij të kundraligjshme ka kontribuar në drejtim të krijimit të një skeme të mirëfilltë mashtruese, lidhur me përfitimet e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Në aktet hetimore thuhet se, gjatë viteve 2010-2019 shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, pavarësisht se nuk paguante asnjë tatim, pasi rezultonte me humbje, ka marrë nga Administrata Tatimore një shumë të konsiderueshme lekësh si rimbursim TVSH-je, me fatuara të dyshuara si fiktive.
Prokurorët dekalrojnë se Çobo dyshohet se pasurinë e krijuar nga këto aktivitete të kundraligjshme e ka kamufluar, duke e kaluar nga njëra shoqëri në tjetrën, duke e prezantuar si pasuri që vjen nga aktivitete të ligjshme ekonomiko-financiare.
“Por, në fakt, kjo pasuri dyshohet të jetë vendosur nga kryerja e një sërë veprash penale ndër vite prej tij, duke konsumuar kështu veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, thuhet ndër të tjera në dosjen e Prokurorisë së Posaçme./Nga boldnews