Lidhje


Ja abuzimet e Ard Veliut dhe Ballukut me industrinë e armatimeve, qindra milionë euro afera me mikun e Ramës

Drejtori i KAYO sh.a. Ard Veliu, është shndërruar në një personazh emblematik aferash, ku akuzat konkrete për korrupsionin në ndërmarrjen shtetërore të armatimeve janë më evidente se kurrë. I katapultuar nga posti i drejtorit të Policisë në zëvendës ministër i Transporteve dhe së fundmi në drejtimin e KAYO, nga Belinda Balluku e cila e ka një nga bashkëpunëtorët kryesorë në aferat skandaloze që janë bërë me industrinë e armëve. Historia e Kayo sh.a është shndërruar në një rast korruptiv që së shpejti do të jetë subjekt i hetimeve të SPAK. Kjo gropë e zezë korrupsioni mban fund e krye firmën e Ard Veliut dhe Belinda Ballukut, të cilët në bashkëpunim me Edi Ramën kanë zhvilluar një varg marifetesh për të kaluar aksione në kompani të huaja dhe shqiptare, duke krijuar mundësinë e përfitimit të qindra milionë eurove.

 

Marrëveshjet mes kompanisë shtetërore shqiptare KAYO sh.a. dhe firmës izraelite Elbit Systems janë realizuar në mënyrë jo-transparente, duke anashkaluar procedurat normale të tenderimit publik. Në korrik 2025 u nënshkrua një “marrëveshje e gjerë ushtarake” midis ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Izraelit, e miratuar nga qeveria shqiptare. Fillimisht u paraqit thjesht si marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive, por më vonë doli në dritë se nën këtë kuadër fshihej një kontratë biznesi sekrete me kompaninë private Elbit, me vlerë qindra milionë dollarë. Kjo do të thotë se, në vend që të hapej garë ndërkombëtare ose tender publik për furnizime ushtarake, kontrata është negociuar dhe firmosur fshehtas direkt me Elbit, duke përjashtuar konkurrencën e mundshme nga kompani të tjera.

 

Qeveria krijoi KAYO sh.a. (Kompania e Prodhimeve Ushtarake) në maj 2024 me synimin zyrtar për të zhvilluar industrinë vendase të mbrojtjes. Me vendim qeverie të firmosur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, kësaj kompanie iu dhanë kompetenca të jashtëzakonshme për të lidhur kontrata e negocime me kompani private në fushën e industrisë së armëve. KAYO u autorizua të prodhojë e tregtojë armë, municione, pajisje ushtarake e teknologji, vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj. Kjo skemë i lejoi qeverisë të anashkalojë procedurat standarde të prokurimit: në vend që Ministria e Mbrojtjes të hapte tender, KAYO mund të bashkëpunojë drejtpërdrejt me partnerë strategjikë të përzgjedhur.

 

Marrëveshjet KAYO–Elbit janë shembulli kryesor i kësaj qasjeje: në shtator 2023 Elbit dhe qeveria shqiptare ranë dakord për furnizimin e armëve të rënda (si mortaja dhe dronë) dhe ngritjen e linjave të prodhimit në Shqipëri. Po ashtu u nënshkrua marrëveshja për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë (shkollë pilotësh), në prani të kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë. Këto projekte u reklamuan si hap pozitiv për modernizimin e ushtrisë dhe ngritjen e kapaciteteve vendase, por pa u bërë publike detajet financiare dhe kriteret e përzgjedhjes së partnerit. Media izraelite Haaretz zbuloi se Elbit ka siguruar një kontratë shumë-milionëshe për t’i furnizuar Shqipërisë armë e dronë, paralelisht me hapjen e shkollës së aviacionit. Vlera e saktë e kontratës mbahet sekret, por burime investigative tregojnë se kap midis 400–600 milionë euro, madje disa zëra e çojnë deri në 1 miliard €. Kjo shumë kolosale nuk është parashikuar hapur në buxhet, çka ngre dyshime se do të përdoren skema financimi jo-transparente. Sipas burimeve konfidenciale, qeveria po shqyrton një model financimi të ngjashëm me projekte të mëparshme (p.sh. “Smart City”), ku kompania e huaj siguron vetë kredinë në banka, ndërsa shteti shqiptar e garanton me sovranitet dhe më pas merr përsipër shlyerjen me këste e interesa. Kjo formë shmang kontrollin e menjëhershëm buxhetor dhe fsheh barrën reale financiare, duke e kaluar atë jashtë procedurave normale të prokurimit publik.

 

Një tjetër mënyrë sesi u minua konkurrenca ishte krijimi i menjëhershëm i disa shoqërive të përbashkëta (joint ventures) midis KAYO dhe partnerëve privatë të zgjedhur. Brenda pak muajsh nga krijimi, KAYO lidhi ortakëri me TIMAC shpk (kompani private shqiptare) duke themeluar firmën “Timak Defence” më 4 gusht 2025. Po ashtu më 1 gusht 2025, KAYO u bë ortak me kompaninë MSSC në firmën “Myslym Keta Defence” dhe krijuan gjithashtu “Guna Tactical”. Të gjitha këto u krijuan me kapital minimal (vetëm 35 mijë €) dhe me strukturë pronësie ku 80% i takonte privatit dhe 20% KAYO (me një përjashtim ku KAYO mbajti 51% te Guna). Nuk pati thirrje publike për këto partneritete; duket qartë se partnerët privatë u përzgjodhën paraprakisht. Për shembull, kompania TIMAC shpk – e cila merret me prodhime metalike – u promovua publikisht nga vetë kryeministri Rama (ai e vizitoi fabrikën dhe e ftoi pronaren në podcastin e tij) dhe menjëherë pas kësaj hyri në ortakëri me KAYO. Dy javë pas krijimit të këtyre kompanive, KAYO madje uzurpoi me forcë ambientet e televizionit Neës24 (një godinë shtetërore e dhënë me qira), duke nxjerrë jashtë mediën që kishte kontratë deri në 2033. Kjo veprimtari agresive tregoi se projektit të ri të industrisë ushtarake i jepej përparësi absolute, pavarësisht ligjeve apo interesit të palëve të treta, dhe ngriti shqetësime për ligjshmërinë dhe mungesën e transparencës në këtë proces.

 

Në përmbledhje, skema e ndjekur ka qenë: krijohet një ent shtetëror i kontrolluar plotësisht nga qeveria (KAYO), i jepen kompetenca speciale për të vepruar jashtë rregullave të zakonshme, dhe pastaj ky ent lidh marrëveshje direkte me kompaninë e huaj (Elbit) ose krijon ortakëri monopoliste me kompani private miqësore (Timak, etj.), pa garë dhe pa vëzhgim publik. Kjo nxjerr jashtë loje çdo konkurrencë të mundshme, duke favorizuar aktorë të caktuar dhe potencialisht duke dëmtuar interesin publik (për shkak të kostove të larta të fshehura dhe rrezikut të korrupsionit).

 

Roli i Ron Yeffet dhe lidhjet politike

 

Ron Yeffet (biznesmen izraelit me shtetësi shqiptare) del në skenë si ndërmjetësi kyç i këtyre marrëveshjeve dhe si përfitues direkt i skemës së lartpërmendur. Sipas burimeve pranë qeverisë, Yeffet ishte “kumbar” i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Elbit Systems. Ai njihet si miku i afërt i Kryeministrit Edi Rama, me akses të privilegjuar në qarqet vendimmarrëse. Në fakt, gjithçka është arritur me vendime qeveritare dhe bekimin personal të Edi Ramës, gjë që i ka mundësuar Yeffet të depërtojë në sektorët më strategjikë të ekonomisë shqiptare – nga energjia, transporti, turizmi e teknologjia, e së fundmi edhe në industrinë e armëve. Këto lidhje politike të fuqishme kanë ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe ndikim të tepruar.

 

Yeffet hyri drejtpërdrejt në biznesin e armëve në Shqipëri përmes krijimit të kompanive të përbashkëta me KAYO. Ai bleu fillimisht 49% të aksioneve të TIMAC shpk – gjysmën e kompanisë – për vetëm 490 euro (një shumë qesharake, shumë poshtë vlerës reale). Kjo blerje ndodhi më 17 qershor 2025 dhe ngriti pikëpyetje se mos ishte thjesht një manovër formale për t’i hapur rrugë ortakërisë me shtetin. Vetëm pak javë më pas, në fillim të gushtit, KAYO dhe TIMAC formuan “Timak Defence”, ku Ron Yeffet zotëron de facto 80% (përmes TIMAC shpk) dhe KAYO 20%. Kjo i dha Yeffet-it monopolin e furnizimit të Forcave të Armatosura me automjete ushtarake nëpërmjet Timak Defence. Paralelisht, Yeffet krijoi edhe një kompani të dytë të armëve në partneritet me KAYO: “Advanced Arms Technology”, ku përmes firmës së tij “UNO 18” ai mban 80% dhe KAYO 20%. Kjo kompani pritet të merret me prodhimin, montimin dhe shitjen e armëve të vogla/mesme dhe dronëve ushtarakë, për t’i shitur si ushtrisë shqiptare ashtu edhe klientëve të tjerë brenda e jashtë vendit. Në të dyja rastet, Yeffet siguroi kontroll dominues në sipërmarrje strategjike të mbrojtjes, ndërsa shteti (përmes KAYO) mbeti me pjesë minoritare – pra kontroll i kufizuar, por me përgjegjësi publike./ Shqipëriaime

 
XS
SM
MD
LG