Lidhje


SPAK në sitë familjarët dhe biznesmenët e lidhur me dyshen Agasi-Beqiri, mes tyre dhe Orest Sota

Prokuroria e Posaçme ka shtuar kontrollet dhe hetimet ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, dy biznesmenëve të akuzuar si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se manipulonte tenderat e AKSHI-t duke përdorur presion dhe dhunë, përfshirë edhe rrëmbimin e biznesmenëve rivalë dhe detyrimin e tyre për të tërhequr ofertat nga garat publike.

 

SPAK po verifikon në detaje pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të të dyshuarve, për të përcaktuar nëse ato janë krijuar përmes aktivitetit kriminal dhe përfitimeve të paligjshme nga tenderat publikë. Hetimi ka zgjeruar fokusin edhe ndaj familjarëve dhe personave të lidhur me ta, në kërkim të rasteve të mundshme të fshehjes apo transferimit të pasurive.

 

Ndër subjektet nën hetim janë përfshirë edhe kompani të sektorit të ndërtimit, përfshirë Fortis Beton, e lidhur me biznesmenin Orest Sota. Dyshohet se një pjesë e parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i Ergys Agasit janë futur në tregun e ndërtimit përmes këtyre kompanive.

Hetimet paraprake kanë identifikuar transaksione bankare të konsiderueshme, të cilat prokuroria i konsideron të pajustifikuara dhe pa burim ligjor të qartë. Analiza e këtyre lëvizjeve financiare synon të zbulojë skemën e qarkullimit të parave dhe të dokumentojë pastrimin e tyre.

 

Aktualisht, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë në kërkim, ndërsa drejtoresha dhe zëvendësdrejtoresha e AKSHI-t janë nën masën e arrestit shtëpiak, të dyshuara për përfshirje në këtë skemë abuzive me fondet publike. Hetimet pritet të intensifikohen, me fokus jo vetëm ndëshkimin penal, por edhe sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të dyshuara si të përfituara nga tenderat e manipuluar, duke e bërë këtë një nga dosjet më të mëdha të korrupsionit dhe krimit ekonomik në vitet e fundit.

XS
SM
MD
LG