Gjyqtari Abdiu liron 50 mln € pasuri të dyshuara si kriminale të Boçit dhe Abules
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e rreth 20 pasurive me një vlerë të përllogaritur afro 50 milionë euro, për të cilat organet ligjzbatuese kishin ngritur dyshime se rrjedhin nga veprimtari kriminale. Vendimi është marrë pak ditë më parë, pavarësisht indicieve të paraqitura nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit mbi origjinën e dyshimtë të këtyre aseteve.
Një nga personat kryesorë të përfshirë është Elman Abule, sot i njohur si biznesmen në Tiranë dhe mik i afërt i Erjon Veliajt. Dokumentet e referuara tregojnë se Abule ka qenë i dënuar në Belgjikë në vitin 2007 nga Gjykata e Antverpit për vepra penale që lidhen me vjedhje të dhunshme dhe krijim bande, ndërsa në dosje përmenden edhe lidhjet e tij të mëparshme me Kristian Boçin, një tjetër emër i njohur për probleme me drejtësinë jashtë vendit.
Vendimi për mossekuestrim është dhënë nga gjyqtari Altin Abdiu, i rikthyer në detyrë në qershor 2025 nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit. Ai refuzoi konfiskimin e shoqërive tregtare, pasurive të paluajtshme dhe aseteve të tjera në pronësi të Abules, Boçit dhe disa personave të lidhur me ta. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës pritet të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar rishqyrtimin dhe sekuestrimin e pasurive në fjalë.