Kur parafolësi e kishte quajtur Shqipërinë “një treg i vogël”, Rama e korrigjoi duke i thënë se ky treg mund të jetë i vogël, por duhet llogaritur që ka një ofertë për të bërë tregti me Kinën. Sipas Ramës, fuqia botërore ekonomike e konsideron Shqipërinë si “pika e mjaltit” e të gjithë Europës.
“Po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideroni Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në gjithë Europën apo jo?” u shpreh kryeministri.
I ndërgjegjshëm se me këtë pohim do të tërhiqte vëmëndjen e përfaqësueses së SHBA në vendin tonë, Rama vazhdoi me pohimin se Shqipëria është fiks vendi i duhur, ku “të gjithë” siç u shpreh ai, mund të bëjnë tregti.
“Duke u bazuar tek mençuria mijëravjeçare e Kinës edhe duke u bazuar tek eksperienca dhe uria për fitim e Amerikës, ne jemi fiks vendi i duhur, në kohën e duhur për ju edhe për të gjithë të tjerët që duhet të vijnë këtu në këtë treg të vogël, për të kapur tregun e madh që është jashtë kufijve të këtij vendi të vogël” tha ai duke iu referuar Europës me fjalët “tregu i madh”.
Deklarata u prit me buzëqeshje nga të pranishmit në sallë. Përveç Nancy VanHorn, që duartrokiti thatë dhe ktheu kokën në anën tjetër, kur kryeministri afrohej për t’u ulur në vendin e tij. Foto më poshtë:
Prej kohësh tashmë, në aktivitet diplomatike që zhvillohen në Tiranë, Nancy VanHorn nuk po e shijon rolin e “primadonna”, një ekskluzivitet i padiskutueshëm i ambasadasorëve amerikanë në çdo event ku ata kanë qenë të pranishëm.
Por në rastin e VanHorn, kjo është hera e dytë që ajo bëhet spektatore e një shkelje syri hapur fare për Kinën.
E tillë ishte vëmëndja që Rama ia dhuroi ambasadores kineze Pang Chunxue në darkën e fundvitit që kryeministria organizoi në “Chateau Braha” me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.
Gjatë mbrëmjes, kryeministri i Shqipërisë ia kushtoi tërësisht vëmëndjen ambasadores Chunxue, madje ishte ajo që përzgjodhi me duart e saj fituesin e shortit për pikturën që do të jepej si dhuratë e pritjes.
Për më tepër Rama e uli ambasadoren kineze Pang Chunxue në tryezën ku ishte ai vetë dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama. Bashkë me ta ishin edhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik, por mungonin dy ambasadorët më të zëshëm mes ndërkombëtarëve të Tiranës, amerikania Nancy VanHorn dhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato.
Kuptohet se ky flirt i papritur i Edi Ramës me Kinën në prani të VanHorn është pasojë e qasjes së re të administratës së SHBA ndaj qeverisë shqiptare, përfshirë këtu edhe një impuls të ri që kanë marrë hetimet e SPAK me dosjet e Ballukut dhe Ergys Agasit. Të dërguarit nga Departamenti i Shtetit i kanë nxitur publikisht prokurorët e SPAK të shkojnë më tej duke krijuar një lëkundje të forta në qeveri, që duket sikur ia kanë prishur Ramës qetësinë e garantuar nga administrata e shkuar amerikane.
Jo më kot, në këtë atmosferë të ftohtë mes Ramës dhe VanHorn ra në sy një Belinda Balluku e kënaqur që ndoqi e buzëqeshur fjalimin e liderit të saj, i cili vitin 2026 po e nis me një flirt me Kinën.
Një shpjegim për deklaratat, është se Rama ia lejon vetes lojërat me Nancy VanHorn, duke qenë se ajo nuk është asgjë më shumë se një burokrate, pa fuqi vendimmarrëse. Prandaj e provokon atë duke thënë se do t’i hapë rrugë tregtisë me Kinën, e injoron duke i bërë temena ambasadores kineze dhe e sfidon rregullisht për t’i treguar se ai, kryeministri i 4 mandateve, që ka takuar dhe përcjellë disa presidentë amerikanë dhe po aq sekretarë shtetesh, nuk e llogarit një nëpunëse pa peshë si ajo. Në këtë rast, Rama e ka të qartë se negociatat reale duhet t’i kryejë në një nivel tjetër.
Shpjegimi i dytë për sjelljen e Ramës në raport me VanHorn është vetëbesimi që shefi i qeverisë duhet t’i transmetojë Belinda Ballukut. Një zv.kryeministre e pandehur, mbi kokën e të cilës qëndron kërkesa për arrestim nga SPAK, është më e pasigurtë se kurrë. Duke ia hedhur dorashkën publikisht Nancy VanHorn, Rama i jep garanci Ballukut se është ende i fortë, se në këtë betejë ata janë bashkë dhe se nuk ka amerikan që t’i futet në mes. Vetëm koha do ta tregojë, nëse Belinda Balluku duhet ta besojë verbërisht garancitë që i jep Rama apo jo.
Shpjegimi i tretë është ai që ka më pak gjasa, por që të bën të mendosh se Rama e konsideron vërtet skenarin e hapjes së dyerve për investimet kineze në vendin tonë, si një strategji për t’iu përgjigjur flakë për flakë qasjes së re të administratës amerikane. Me mendësinë e të dëshpëruarit që i thotë vetes “dy duar për një kokë”, në këtë variant Rama ka kuptuar se nuk ka rrugë tjetër veçse t’i kundërvihet veglave të ambasadës amerikane, duke luajtuar kartën e afrimit me ambasadat e tjera, atyre që në Ballkanin Perëndimor, amerikanët i referohen si “aktorë të tretë” dhe që kanë qenë gjithnjë shqetësim për SHBA.