Dy qasje diplomatike për Bordin e Paqes/ Ku ndryshon Shqipëria nga Bashkimi Europian
Sapo mori ftesën për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, Shqipëria reagoi si ajo nxënësja që ngre dorën e para në klasë, ende pa e kuptuar mirë pyetjen. Që prej të shtunës në mbrëmje, Edi Rama e ka kthyer në festë kombëtare marrjen e një letre nga Donald Trump, ku Shqipëria ftohet të jetë “shtet anëtar themelues” në “Bordin e Paqes” për Gazën. Struktura e re synon të mbikëqyrë fazën e dytë të planit për administrimin tranzitor të Gazës dhe, sipas dokumenteve që qarkullojnë, të zgjerohet për menaxhimin e konflikteve të tjera.
Në Tiranë, reagimi u paketua menjëherë si shenjë e respektit personal që Trump kishte për vetë Edi Ramën.
Në leximin që i bëri kryeministri me gërma kapitale, kjo ishte “një majë krejt e paimagjinueshme pak vite më parë” dhe prova që Shqipëria është kthyer “e dinjitetshme dhe e respektuar botërisht si asnjëherë më parë”. Rama e paraqiti si ftesë për t’iu bashkuar një “përpjekjeje historike” për paqen në Lindjen e Mesme, ndërsa zyrtarisht, ministria e jashtme iu përmbajt vlerësimit folklorik se ky ishte vlerësim që presidenti i SHBA, Donald Trump kishte personalisht për Edi Ramën.
Por në të njëjtën kohë, në kryeqytetet europiane dhe jo vetëm, leximi që iu bë projektit të Donald Trumo ishte i një natyre tjetër; më pak ekzaltim dhe më shumë llogari.
Kancelari i Gjermanisë Merz, kryeministri i Spanjës Sanchez, kryeministrja e Italisë, Meloni, presidenti i Turqisë, Erdogan dhe të tjerë reaguan me kujdes, ose në heshtje, pikërisht sepse statuti i bordit dhe ambicia e tij “përtej Gazës” shihet nga diplomatë si një rrezik për të minuar rolin e Kombeve të Bashkuara.
Një diplomat i cituar nga Reuters e quajti nismën “një ‘Trump United Nations’ që injoron themelet e Kartës së OKB-së”.
Franca, refuzim i qartë
Në Paris, qëndrimi është publik dhe i prerë. Sipas burimeve të qeverisë franceze të cituara nga mediat prestigjioze, Franca “nuk ka ndërmend, në këtë fazë, të japë një përgjigje në favor” të ftesës së SHBA-së për Bordin e Paqes. Ministria e Jashtme franceze vuri theksin se nisma “shkon përtej kuadrit të vetëm të Gazës” dhe ngre pyetje të mëdha mbi respektimin e strukturës së Kombeve të Bashkuara, duke rikujtuar se Karta e OKB-së mbetet “gurthemeli i multilateralizmit efektiv”.
Gjermania, shqyrtim i heshtur
Qeveria gjermane, ashtu si vendet e tjera kryesore të BE-së, ka marrë ftesën për t’u futur në “Bordin e Paqes” të Trump, por deri më tani nuk ka bërë një deklaratë të qartë publike se do ta pranojë apo refuzojë zyrtarisht.
Reuters raporton se liderët evropianë po e trajtojnë ftesën me kujdes diplomatik, pa nxituar të bëjnë njoftime publike, duke lënë zyrtarë qeveritarë të shprehin shqetësime nën kushtin e anonimatit rreth ndikimit që nisma mund të ketë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Qeveritë reaguan me kujdes … duke i lënë zyrtarët të shprehin shqetësimet e tyre anonime lidhur me ndikimin që kjo nismë mund të ketë në punën e OKB-së”, raportoi Reuters.
Italia, një pohim me gjysëm zëri
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur dëshirë që Italia të luajë një rol në nismën amerikane. Sipas Reuters, gjatë një vizite në Kore të Jugut, Meloni u shpreh se “Itali është gati të bëjë pjesën e saj”, edhe pse nuk bëhet e qartë nëse ajo po i referohet vetëm pjesës së Gaza-s apo edhe programit të gjerë të paqes që Trump kërkon të ndërtojë.
Spanja, heshtje pa deklaratë zyrtare
Për Spanjën gjithashtu nuk ka një reagim publik të qeverisë mbi pranimin ose refuzimin e ftesës për të hyrë në “Board of Peace”.
Reuters shkruan se shumë qeveri evropiane, duke përfshirë vendet e BE-së si Spanja, e kanë marrë ftesën, por nuk kanë bërë ende një deklaratë formale. Në vend të deklaratave zyrtare, disa qeveri po mendojnë kushtet dhe implikimet e saj.
Britania e Madhe, pa deklarim zyrtar të pranimit
Edhe pse Britania e Madhe është një nga vendet e ftuara, deri tani nuk ka një deklaratë publike të qeverisë britanike që thotë qartë se do ta pranojë apo refuzojë ftesën. Diplomatët britanikë raportohet se po kërkojnë sqarime nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me mandatin e bordit, autoritetin e tij ligjor dhe përgjegjësitë e anëtarëve të tij.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve në parlament, nëse kryeministri Keir Starmer do t’i bashkohet bordit. Në vend të kësaj, ajo ritheksoi mbështetjen e qeverisë për planin amerikan me 20 pika, duke theksuar brishtësinë e armëpushimit aktual dhe nevojën për rritjen e ndihmës humanitare për Gazën.
Hungaria e Orban, pranim i menjëhershëm
Në kontrast me heshtjen e Bashkimit Europian, Hungaria ka përqafuar ftesën relativisht shpejt. Si raportojnë mediat, Kryeministri Viktor Orbán e ka pranuar dhe e ka quajtur pjesëmarrjen “një nder dhe një mundësi për të kontribuar në paqe”. Kjo erdhi pasi ai e publikoi letrën e ftesës dhe e bëri të qartë pranimin e vendit të tij.
Ç’thotë panorama e reagimeve
Me qëndrimin e saj, Shqipëria është më pranë Hungarisë, ndër të paktat që ka reaguar në mënyrë të menjëhershme me një PO për ftesën.
Por shtetet kryesore të Bashkimit Europian (Francë, Gjermani, Spanjë, Britani) kanë zgjedhur heshtjen, shqyrtimin e parimeve diplomatike, ose refuzimin, duke e lidhur me pozicionin e tyre ndaj Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në këtë kontekst, pozicionimi i Shqipërisë tregon një zhvendosje të dukshme të kursit në politikën e jashtme, që prej vitesh ka qenë i linjëzuar me Bashkimin Europian.
Në momente të rëndësishme si ky, zgjedhja e Ramës ngre një pyetje themelore për vendimmarrjet e rëndësishme në diplomaci: A është kjo një politikë e jashtme strategjikisht e mirëmenduar, apo një refleks instiktiv, që e largon Shqipërinë nga linja e saj tradicionale europiane, duke e futur në një zonë delikate ku balancimi i interesave është gjithnjë më kompleks dhe më pak i parashikueshëm?