Lidhje


Balluku përplas mazhorancën me opozitën: akuza, dhe kërcënime në Konferencën e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve e Kuvendit, e mbajtur më 29 janar 2026, u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, me në qendër Reformën Territoriale dhe çështjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Mazhoranca socialiste, përmes kreut të grupit parlamentar Taulant Balla, paralajmëroi se nëse Partia Demokratike vijon bojkotin e Komisionit të Reformës Territoriale, do të aktivizohet “mekanizmi i zhbllokimit” dhe puna do të vazhdojë pa opozitën. Balla theksoi se reformat nuk mund të mbahen peng dhe se përgjegjësia për mungesën e bashkëpunimit bie mbi opozitën.

 

Debati u ashpërsua ndjeshëm kur opozita ngriti çështjen e shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, e cila duhet të shqyrtonte kërkesën e SPAK për imunitetin e Ballukut. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi drejtimin e Kuvendit për shkelje të rregullores dhe për zvarritje të qëllimshme të procesit, duke deklaruar në konferencë se “po mbroni korrupsionin” dhe se shtyrja e mbledhjes është e pajustifikuar ligjërisht. Bardhi kërkoi që procedurat parlamentare të ndiqen pa vonesa dhe pa ndërhyrje politike në proceset që lidhen me drejtësinë.

 

Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës paralajmëruan përballje të hapur politike. Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, deklaroi gjatë debatit se “do na keni përballë në Kuvend dhe në sheshe”, duke akuzuar mazhorancën për përdorim arbitrar të rregullores dhe për mbyllje të hapësirës së debatit parlamentar. Konferenca e Kryetarëve u mbyll pa konsensus, duke reflektuar thellimin e përplasjes politike dhe tensionet që pritet të shoqërojnë punimet e ardhshme të Kuvendit.

XS
SM
MD
LG