Lidhje


Dosja “5D”: 5 zyrtarë të Bashkisë Tiranë shpëtojnë nga burgu në Apel

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi sot të pezullojë dënimet me burg të dhëna nga Shkalla e Parë për pesë zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të përfshirë në dosjen e njohur si “5D”, duke i konvertuar ato në shërbim prove njëvjeçar. Vendimi përfshin Eglantina Zeren, Enkelejda Qytën, Bruno Koçin, Rivjola Baxhën dhe Kristo Zhulatin, të cilët shmangin vuajtjen e dënimit me burg.

 

Pesë të pandehurit ishin veçuar nga pjesa tjetër e dosjes, ku përfshihen edhe ish-drejtues të lartë të Bashkisë së Tiranës. Në Shkallë të Parë, Eglantina Zere ishte dënuar me 1 vit burg, dënim i reduktuar në 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar, ndërsa katër të pandehurit e tjerë ishin dënuar me 9 muaj burg, të ulur në 6 muaj. Apeli vendosi pezullimin e këtyre dënimeve dhe zëvendësimin e tyre me shërbim prove.

 

Të gjithë u shpallën fajtorë për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”. Sipas SPAK, zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe të padrejta për operatorët ekonomikë fitues “V.A.S Konstruksion” sh.p.k. dhe “Rroku Guest” sh.p.k., në procedurën e prokurimit për “Rikonstruksionin e sheshit të parkimit te Selman Stërmasi”, duke manipuluar kriteret dhe procesin e vlerësimit.

 

Në një tjetër proces të lidhur me dosjen “5D”, Gjykata ka dënuar me 1 vit burg edhe ish-drejtoreshën e klubit shumësportësh “Tirana”, Debora Keçi, dënim i konvertuar në 2 vite shërbim prove, si dhe 8 ish-zyrtarë të tjerë për abuzime në një tender për rikonstruksionin e një palestre nga shoqëria “5D”.

 

Dosja “5D” përfshin gjithashtu ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës Redi Molla dhe Mariglen Qato, si edhe Taulat Tushën, për të cilët gjykimi vijon i ndarë. Nga ky grup, vetëm Mariglen Qato ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest në burg”.

XS
SM
MD
LG