PLAS NË KUVEND! Balla dhe Bardhi përplasen ashpër për Reformën Territoriale
Parlamenti ka diskutuar sot, më 3 shkurt 2026, Reformën Administrativo-Territoriale, mes tensioneve të forta ndërmjet mazhorancës dhe opozitës lidhur me përbërjen dhe drejtimin e Komisionit të Posaçëm që po merret me këtë reformë. Në rendin e ditës ishte projekt-vendimi për ndryshimin e vendimit nr. 75, datë 27.10.2025, i cili parashikon riformatimin e komisionit parlamentar që shqyrton reformën, pas bllokimeve të konstatuara gjatë muajve të fundit në punën e tij.
Mazhoranca kërkoi zëvendësimin e formulës aktuale 50:50 me një përbërje prej 9 anëtarësh nga Partia Socialiste dhe 8 nga opozita, si dhe heqjen e bashkëkryesimit të komisionit. Ministri dhe deputeti Taulant Balla argumentoi në sallë se modeli aktual ka prodhuar bllokim të plotë dhe se reforma nuk mund të mbetet peng i bojkotit politik, duke theksuar se objektivi i mazhorancës është finalizimi i saj brenda vitit 2026, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027.
Nga ana tjetër, opozita e kundërshtoi ashpër këtë ndryshim, duke e cilësuar si tentativë për marrje me forcë të Reformës Territoriale. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se ndryshimi i njëanshëm i rregullave të komisionit cenon konsensusin politik dhe paralajmëroi se çdo reformë territoriale e miratuar pa dakordësi mes palëve do të jetë e delegjitimuar politikisht. Debati mbeti i hapur, ndërsa vendimmarrja për përbërjen përfundimtare të komisionit pritet të vijojë në seancat në vijim.