Lidhje


Rama sfidon GJKKO: Balluku më ka dhënë 3 herë dorëheqjen, nuk ia kam pranuar!

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka paraqitur dorëheqjen tri herë, por ai nuk e ka pranuar. Sipas Ramës, Balluku ka ofruar dorëheqjen një herë në momentin kur iu komunikuan akuzat, një herë pas vendimit për pezullim dhe një herë tjetër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri theksoi se nuk do ta pranojë dorëheqjen e saj, duke e konsideruar çështjen si një betejë parimore dhe jo personale.

 

 

Rama argumentoi se pezullimi i një ministri nga detyra përmes masës së sigurisë cenon funksionimin normal të pushtetit ekzekutiv dhe krijon një precedent të rrezikshëm për balancën mes pushteteve. Ai tha se çështja nuk lidhet vetëm me rastin Balluku, por me nevojën për të saktësuar kufijtë ligjorë të ndërhyrjes së gjyqësorit në funksionet kushtetuese.

 

 

Në këtë kuadër, kreu i qeverisë ka dorëzuar ndryshime ligjore që synojnë të kufizojnë kompetencën e GJKKO për të pezulluar ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë gjatë hetimeve. Drafti u diskutua në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste , e zhvilluar në orën 09:00.

 

 

Mazhoranca e konsideron nismën si një ndërhyrje të domosdoshme për të garantuar stabilitet institucional dhe ndarjen e pushteteve, ndërsa opozita pritet ta kundërshtojë fort, duke e cilësuar si përpjekje për të dobësuar mekanizmat e drejtësisë. Debati për ndryshimet pritet të ndizet në Kuvend në ditët në vijim.

XS
SM
MD
LG