“Askush nuk e godet dot qeverinë!” Rama për Gjykatën Kushtetuese: Janë tru boshë!
Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se ndryshimet ligjore për të frenuar pezullimin e ministrave dhe funksioneve të tjera kushtetuese nga gjykatat nuk kanë lidhje me rastin e Belinda Ballukut. Megjithatë, ai e cilësoi pezullimin si të papranueshëm dhe paralajmëroi reagim institucional.
“Fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të Kushtetutës nuk mjaftojnë, praktikat e të gjitha vendeve që ne u ngjajmë nuk mjaftojnë, atëherë duhet bërë neni me të gjitha përcaktimet, funksion për funksion, në mënyrë që të mos ketë më mundësi të interpretohet. Kjo është arsyeja përse ne e bëjmë këtë ndryshim. Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vet, nuk ka lidhje me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse. Ashtu sikundër askush s’duhet ta mendojë se kjo masë, apo të tjera masa në vijim, kanë të bëjnë me lëkundjen tonë për të mbështetur pa rezervë pavarësinë e drejtësisë”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila nuk arriti shumicën për të pranuar kërkesën e tij dhe la në fuqi pezullimin nga detyra, Rama tha se problemi nuk qëndron te ligji, por te interpretimi i tij. “Mendoj që boshllëku është në trutë e atyre që s’i dhanë drejtim, bazuar në frymën e Kushtetutës dhe në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve, jo në të gjithë Europën, por në të gjithë planetin. Nuk është nevoja të jetë çdo gjë e shkruar në germën e ligjit, nëse në frymën e Kushtetutës janë të qarta orientimet për të gjithë ata që jetojnë nën atë Kushtetutë”, deklaroi ai.
Kryeministri theksoi se pezullimi i një ministri nga GJKKO në një fazë paraprake, pa nisur gjyqi, nuk cenon individin, por funksionin institucional. “Ajo që e bën skandaloz, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm pezullimin nga një prokuror dhe gjykatës në një seancë paraprake pa nisur gjyqi për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti se pezullimi nuk cenon personin. Pezullimi cenon funksionin. Kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë e një individi, por pezullohet puna e një institucioni. Ajo ministri s’ka kapacitet të propozojë asgjë në Këshillin e Ministrave, sepse nuk përfaqësohet nga personi i ngarkuar si përfaqësues i vullnetit kushtetues”, tha Rama.
Ndryshimet ligjore pritet të formalizohen në Kuvend, në një klimë të ndezur politike, ku mazhoranca argumenton mbrojtjen e ndarjes së pushteteve, ndërsa opozita e sheh nismën si ndërhyrje në mekanizmat e drejtësisë.