Kuvendi mblidhet më 23 shkurt për Ballukun. Rama paralajmëron se nuk do ta lëshojë!
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend do të mblidhet më 23 shkurt 2026, ora 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja vjen në një moment tensioni të lartë politik, pas vendimeve të mëparshme gjyqësore për pezullimin e saj nga funksionet publike.
Paralelisht me këtë zhvillim, kryeministri Edi Rama reagoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, duke mbrojtur nismën për ndryshimet ligjore lidhur me pezullimin e funksionarëve të lartë. Rama deklaroi se:
“Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse.”
Ai theksoi se kush e lidh ndryshimin me rastin konkret “bën gabim”, duke shtuar se rasti i Ballukut “ka rrugën e vet” dhe se mazhoranca do të refuzojë çdo “ndërhyrje në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv” përmes masës së pezullimit. Rama u shpreh se “askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse”, por njëkohësisht siguroi se këto masa nuk cenojnë mbështetjen e PS për pavarësinë e drejtësisë.
Çështja pritet të thellojë përplasjen mes mazhorancës dhe SPAK, ndërsa vendimi i Këshillit të Imunitetit do të jetë vendimtar për hapat e mëtejshëm proceduralë në Kuvend.