Lidhje


“Rama mbi ligjin?” Berisha shpërthen: Akt kriminal që mbyll dyert e BE-së dhe garanton vjedhjen pa pezullim!

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se nisma ligjore e paraqitur të hënën nga Partia Socialiste, e cila ndalon pezullimin e funksioneve kushtetuese, përbën sipas tij goditjen më të rëndë ndaj shtetit ligjor.

 

Në një prononcim për mediat pas paraqitjes në SPAK, në zbatim të masës “Detyrim paraqitje”, Berisha e cilësoi këtë hap si aktin më të rëndë, më kriminal dhe më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë.

 

“Me këtë akt të pashembullt në historinë e botës Edi Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale, ministrat, qëndrojnë mbi ligjin dhe mbi çdo gjë tjetër në këtë vend. Nuk mund të hetohen dhe do të vjedhin dhe do vazhdojnë të vjedhin. Ky është morali dhe e vërteta e këtij amendamenti që ata paraqesin sot”, tha Berisha.

 

Sipas tij, kjo nismë përfaqëson mbrojtjen më të fortë të sistemit të korrupsionit që, sipas opozitës, është ngritur nga mazhoranca.

 

“E paralajmëroj Edi Ramën se do të paguajë çmimin më të shtrenjtë me këtë akt dhe se po u fakton shqiptarëve dhe botës se çfarë hajduti është. Ky njeri i kapur në flagrancë me afera të mëdha korruptive tani do të bëjë ligjin që të vjedhë sa të mundet dhe të mos mund ta pezullojnë”, tha Berisha.

 

Kreu i PD-së theksoi gjithashtu se pezullimi është një e drejtë e qartë ligjore, e parashikuar për prokurorët dhe gjykatësit.

 

“Pezullimin e ka miratuar plotësisht pas ekspertizës që i kanë bërë ligjit të procedurës penale të Kosovës edhe Komisioni i Venecias, i cili është shprehur se pezullimi nuk bie ndesh me parimet e Kushtetutës dhe pushteteve të tjera”, tha Berisha.

 

Në përfundim, Berisha deklaroi se me këtë akt, sipas tij, kryeministri Edi Rama po i mbyll dyert e integrimit europian Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG