Analiza e BSH: Çmimi i banesave rritje të vazhdueshme ka ndikuar tek rritja e çmimeve
Një analizë e fundit e Bankës së Shqipërisë vëren se çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur pa ndalim për rreth 6 vite radhazi, përpara dhe pas pandemisë. Rezultatet paraprake kanë demonstruar se ecuria e çmimit të banesave është e lidhur me të ardhurat për frymë. Rritja e këtyre të fundit shihet si faktori më i qenësishëm për shpjegimin e rritjes së vrullshme të çmimeve në vitet e fundit. Faktorët e tjerë përcaktues të çmimit të banesave mund të përfshijnë blerjet e jorezidentëve, huadhënien bankare, kostot e ndërtimit dhe normat e interesit. Ndryshe nga disa perceptime, qiratë dhe lëvizjet demografike paraqiten me influencë mjaft të ulët.
Këto gjetje konfirmohen edhe nga të dhënat e kreditimit. Huaja e re për blerje banesash arriti rekordin e ri prej 48.5 miliardë Lekësh vitin e shkuar, gati 2-fish më shumë se në 2019-n.
Nga ana tjetër, blerjet nga jashtë të apartamenteve kryesuan investimet e huaja për të dytin vit me radhë gjatë 2023-shit. Investimet e huaja për blerje pasurish të paluajtshme arritën në 222 milionë Euro deri në fund të Shtatorit të vitit të shkuar.
Nga/Tv Klan