Lidhje


INVESTIGIMI/ Pas Ekuadorit, shqiptarët “pushtojnë” Senegalin – Rruga e re e kokainës për në Evropë

 

Një investigim tronditës i gazetës franceze Le Monde ekspozon një zhvendosje të rrezikshme në hartën globale të trafikut të drogës: Senegali po kthehet në një pikë kyçe të korridorit të ri të kokainës, të njohur si “Autostrada 10”, i përdorur nga rrjetet kriminale ballkanike për të transportuar sasi masive droge nga Amerika Latine drejt Evropës. Sipas reportazhit, porti i Dakarit dhe prania e koordinatorëve shqiptarë në terren dëshmojnë për një infiltrimi të thellë të mafias ballkanike në Afrikën Perëndimore.

 

Le Monde e vendos Senegalin në zemër të këtij sistemi kriminal. “Porti i Dakarit ka lidhje me vendet evropiane, përfshirë Spanjën, Belgjikën dhe Francën”, thekson investigimi. Pikërisht kjo lidhje e drejtpërdrejtë me Evropën e bën Senegalin një platformë ideale për trafikantët, që kërkojnë rrugë më pak të ekspozuara ndaj kontrolleve të ashpra që aplikohen për ngarkesat që vijnë drejtpërdrejt nga Amerika Latine.

 

Sipas hetimit, të paktën një e treta e kokainës së konsumuar në Evropë kalon sot tranzit përmes Afrikës Perëndimore, përgjatë paralelit të 10-të verior – rrugë që ka marrë emrin simbolik “Autostrada 10”. Logjika e trafikantëve është e qartë: një kontejner që mbërrin nga Senegali në portet evropiane është më pak i dyshimtë sesa një kontejner që vjen nga Brazili. Ky diferencim perceptimi shfrytëzohet për të maskuar dërgesa që përmbajnë tonelata kokainë.

 

Një pjesë kyçe e hetimit bazohet në zbërthimin e komunikimeve të koduara në aplikacionin Sky ECC. Policia franceze analizoi më shumë se 1 miliard mesazhe mes trafikantëve, duke nxjerrë në pah biseda që flasin qartë për lidhjet në Senegal. Një prej mesazheve është domethënës: “Vëlla, atje lart në Senegal, ne kemi lidhje të mira.” Sipas Le Monde, kjo fjali nuk është thjesht një shprehje e zakonshme, por një tregues i korrupsionit dhe i depërtimit të rrjeteve kriminale në strukturat lokale. Një burim i cituar në hetim pranon se këto organizata “arrijnë lehtësisht të marrin atë që duan nga disa prej autoriteteve tona”.

 

Investigimi përshkruan një mekanizëm të sofistikuar të ngritur nga mafia ballkanike në territorin senegalez. Shqiptarët e pranishëm atje, sipas gazetës, monitorojnë vazhdimisht zhvillimet politike dhe gjyqësore në vend, si dhe aktivitetin e oficerëve të policisë në patrullim. Kjo mbikëqyrje e vazhdueshme u jep trafikantëve avantazh strategjik: ata përshtaten me situatën, zgjedhin momentin e duhur dhe realizojnë trafikimin ose kontrabandën me rrezik minimal. Koordinatorët në terren janë të paktë, por jashtëzakonisht të informuar dhe thelbësorë për funksionimin e rrjetit.

 

Hetimi e çon fillin e historisë në qershor 2020, kur 1 ton kokainë e pastër u sekuestrua në portin e Antverpit, Belgjikë, e fshehur në një ngarkesë kakaoje. Droga kishte origjinë nga Sierra Leone, vend fqinj me Senegalin, dhe kishte ndjekur të njëjtën rrugë të Afrikës Perëndimore. Ky sekuestrim çoi hetuesit drejt Radosh Vicker, i identifikuar si kreu i klanit malazez “Cavac”, për të cilin ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Mesazhet e deshifruara zbuluan një sistem të strukturuar: fshehje e drogës në kontejnerë me mallra të zakonshme si kakao, banane, ananas apo çimento, korrupsion në zinxhirin e furnizimit dhe koordinim nga Ballkani.

 

Sipas Le Monde, Afrika Perëndimore ofron kushte që e bëjnë këtë rrugë veçanërisht tërheqëse për organizatat kriminale: institucione të brishta, raste korrupsioni dhe kontrolle portuale të pamjaftueshme. Vetëm 2% e kontejnerëve inspektohen, ndërsa më shumë se 11 milionë kontejnerë kalojnë çdo vit tranzit nëpër portet e rajonit. Ky disproporcion mes volumit të tregtisë dhe kapaciteteve të kontrollit krijon një terren ideal për trafik masiv droge.

 

Ekspertët e cituar nga gazeta franceze paralajmërojnë se rruga afrikane mund të shndërrohet shumë shpejt në korridorin kryesor të kokainës drejt Evropës. Rritja e prodhimit në Amerikën Latine që nga vitet 2010 dhe shtimi i kontrolleve në rrugët tradicionale kanë detyruar organizatat kriminale të kërkojnë alternativa më pak të ekspozuara. Senegali, me portin e Dakarit të lidhur me qendrat kryesore evropiane dhe me praninë e dokumentuar të rrjeteve kriminale, shfaqet kështu si një nyje qendrore e një sistemi transnacional të orkestruar nga mafia ballkanike, në bashkëpunim me ’Ndrangheta-n italiane dhe PCC-në braziliane.

 

Investigimi i Le Monde nuk përshkruan thjesht një rrugë të re trafiku, por një arkitekturë të re të krimit të organizuar global, ku Afrika Perëndimore po shndërrohet në trampolinë për tonelata kokainë që përfundojnë në tregjet evropiane.

XS
SM
MD
LG