Lidhje


REPORTAZHI/ Qytet për milionerë? Tirana me çmime 4,500 €/m² ndërsa shqiptarët largohen

 

Në një reportazh të detajuar të publikuar nga VoxEurop, gazetarët Francesca Barca dhe Federico Caruso përshkruajnë një Tiranë që po transformohet me ritme marramendëse: një qendër e mbushur me lëvizje, me arkitekturë nga epoka të ndryshme që bashkëjetojnë, por ku dominimin vizual e kanë rrokaqiejt e rinj – imponues, të guximshëm dhe të projektuar nga emra të njohur ndërkombëtarë të arkitekturës.

 

Në orët e pikut, shkruan VoxEurop, është e vështirë të perceptosh gjerësinë e bulevardeve për shkak të dendësisë së njerëzve, makinave, biçikletave dhe skuterëve. Në këtë mozaik urban dallohen projektet e “archistar”-ëve si Stefano Boeri, i njohur për “Pyllin Vertikal” në Milano, Marco Casamonti, studioja holandeze MVRDV dhe studioja belge 51N4E. Emra prestigjiozë që përfaqësojnë arkitekturë inovative dhe, sipas promovimit zyrtar, të ndërgjegjshme për mjedisin.

 

Sipas gazetarit Erblin Vukaj nga media e pavarur Citizens, këta emra përdoren nga Kryeministri Edi Rama për t’i dhënë legjitimitet valës së zhvillimeve të fundit. Reportazhi e vendos skenën në zonën e Bllokut, mes Rrugës “Brigada e VIII” dhe Rrugës “Vaso Pasha”, ku bashkëjetojnë vila të periudhës socialiste (1944–1991), ndërtesa të tranzicionit dhe struktura të reja si Blloku Cube i Boerit, selia e Credins Bank e projektuar nga Atelier 4, si dhe dy kulla të tjera në ndërtim nga studioja e Casamontit. Në mes të këtij peizazhi urban, një pankartë e madhe kundër politikave të ndërtimit varet nga një ndërtesë e vjetër, ndërsa një tjetër godinë pritet të shembet për t’i hapur rrugë një kulle të re. Mungesa e hapësirave të gjelbra dhe e pistave të biçikletave është e dukshme.

 

Por pas kësaj fasade arkitekturore, VoxEurop thekson një paradoks të thellë: sipas INSTAT, në vitin 2023, një në tre apartamente në Shqipëri ishte i pabanuar. Në vitin 2024, gazetarja Ola Xama raportoi mbi 85,000 shtëpi bosh në qarkun e Tiranës, prej të cilave 52,000 në kryeqytet. Me ritmet aktuale të rritjes së popullsisë, do të duheshin 45 vjet për t’i mbushur këto apartamente. Në censusin e vitit 2011, shifra ishte një në pesë (21.6%). Mes viteve 2011 dhe 2023, Shqipëria humbi afro 500,000 banorë.

 

 

Megjithatë, ndërtimi vazhdon. Në vitin 2015 u dhanë leje për ndërtesa banimi me sipërfaqe prej 50 km²; në vitin 2022 kjo shifër u rrit mbi 40 herë, në 2,071 km², dhe trendi ka vijuar. Logjikisht, rritja e ofertës me rënie të kërkesës do të duhej të ulte çmimet, por ka ndodhur e kundërta.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, në Tiranë çmimet e banesave u rritën me 5.1% në gjashtëmujorin e parë të 2025 dhe me 32.6% në bazë vjetore. Në vitin 2011, çmimi për metër katror në zonat qendrore varionte nga 700 deri në 2,500 euro; sot ai luhatet nga 2,500 në 4,500 euro për m². Një apartament me dy dhoma me qira nën 600 euro është pothuajse i pamundur për t’u gjetur.

 

VoxEurop e lidh këtë “boom” me politikat e nisura gjatë mandatit të Edi Ramës si kryebashkiak (2000–2011), të vazhduara nga pasardhësi i tij Erion Veliaj, aktualisht në burg me akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Në vitin 2017 u miratua plani urban Tirana 2030, i projektuar nga Stefano Boeri Architetti, që synonte zhvillim vertikal për të liruar hapësira të gjelbra dhe për të përmirësuar trafikun përmes transportit publik dhe pistave të biçikletave. Realiteti, sipas reportazhit, është shumë larg vizatimeve.

 

Arkitektja dhe studiuesja Dorina Pllumbi thekson se plani “e ka hapur qytetin ndaj dendësimit ekstrem”. Nga një kufi prej shtatë deri nëntë kate, sot ndërtesa më e lartë është Downtown One me 40 kate, ndërsa projekte të miratuara kalojnë 70 kate. Ndërtesat historike, sipas saj, nuk janë mbrojtur. Vukaj e përkufizon këtë si një projekt egoje për të ndryshuar fytyrën e qytetit, duke e lidhur edhe me lehtësimin e pastrimit të parave.

 

 

Një raport i Friedrich Ebert Foundation, i titulluar “Pastrimi i parave në pasurive të patundshme; impakti në jetën social-ekonomike të Shqipërisë”, vlerëson se korrupsioni dhe evazioni fiskal gjeneruan 8.168 miliardë euro në periudhën 2015–2024, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Raporti thekson se rritja e çmimeve, pavarësisht rritjes së ofertës, tregon deformim të marrëdhënies kërkesë–ofertë–çmim.

 

Reportazhi vendos një paralele historike me planin urban të vitit 1925, të hartuar nga arkitektë italianë si Armando Brasini dhe Gherardo Bosio gjatë periudhës fashiste. Sot, sipas Pllumbit, kemi një formë të re “kolonialiteti pushteti” dhe një “inferioritet të brendësuar” ndaj perëndimorëve. Një shembull është pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias 2025, i kuruar nga studiuesja zvicerane Anneke Abhelakh, pa kontribute nga arkitektë shqiptarë.

 

Aktivisti Armen Sula nga shoqata Tek Bunkeri shpreh frikën se hapësira e tyre kulturore mund të shembet për një ndërtesë më të lartë. Me ironi të hidhur, ai thotë se e vetmja shpresë është “që kryeministri të shkojë në burg për të paktën pesë vjet” që ndërtimi të ndalet.

 

 

Në fund, VoxEurop e lidh debatin urban me perspektivën e anëtarësimit në BE në vitin 2030. Antropologu Nebi Bardhoshi thekson se shqiptarët nuk janë naivë për dobësitë e BE-së, ndërsa Pllumbi paralajmëron se BE mund të jetë një mundësi demokratike, por edhe një tjetër formë imponimi pushteti. Çështje si drejtësia tranzitore dhe korrupsioni masiv mbeten pengesa.

 

Artikulli, pjesë e projektit PULSE, në bashkëpunim me Il Sole 24 Ore, Obc Transeuropa dhe El Confidencial, përfundon me një pyetje të heshtur: a po ndërtohet një qytet për qytetarët, apo një terren loje për arkitektë, investitorë dhe kapital të dyshimtë?

XS
SM
MD
LG