Lidhje


Aeroporti i Vlorës/ Çuçi : E paprecedentë, gjykata bllokon aksionerin 98%

Procesi i punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ishte në fokus të debatit në emisionin “Opinion”, ku këshilltarja e MABCO-s, Ornela Çuçi, reagoi ashpër ndaj vendimmarrjes gjyqësore që, sipas saj, ka bllokuar aksionerin kryesor të projektit.

 
“Aeroporti është përfunduar komplet. Nëse gjykata e lejon aksionerin kryesor, të vijojë të punojë, aeroporti do mbaronte për pak muaj. Gjykatat nuk i kemi në dorë. Aksioneri kryesor nuk është lejuar që të bëjë asnjë punim. Gjykata e pezulloi punën e aksionerit kryesor, që është sot me 98 përqind të aksioneve, që mban po kaq përgjegjësi për ndërtimin e aeroportit. Për shkak të gjykatës, aksioneri kryesor nuk mund të vijojë të punojë dot”, deklaroi ajo.
 

Sipas Çuçit, vendimi gjyqësor ka krijuar një situatë të pazakontë në raport me strukturën e aksionerëve, duke i dhënë avantazh ortakut minoritar. “Gjykata i ka dhënë të drejë ortakut me aksione më të vogla, ky i fundit bën çfarë i do qejfi. 89 milionë euro janë shpenzuar në atë aeroport nga aksioneri më i madh. 2 përqindëshi duhet të mos e hidhte në gjyq ortakun e vet dhe të ankohej në institucione. Behgjet Pacollit nuk i thërrasim kot bacë. Është e paprecedentë që një gjykatë nuk e lejon ortakun kryesor të punojë”, theksoi ajo.

 

Zhvillimet në aeroport janë pezulluar nga vendimet e gjykatave pas një përplasjeje publike mes biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, lidhur me menaxhimin dhe përfaqësimin e projektit. Mosmarrëveshja kishte në thelb çështje kontraktuale dhe rolin e palëve brenda konsorciumit që po realizon investimin. Pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve, analisti Artan Hoxha u shpreh se vendimet e gjykatave kërcasin shumë pasi i kanë dhënë të drejtë një aksioneri me 2%.

 

“2% i është dhënë e drejta përkundrejt 98% me vendimin e një gjykate. Tani kjo kërcet shumë. Të gjithë thonin kam 18 lekë, më jep 2 lekë të shkoj në kinema. Ky thotë kam 2 lekë, më jep 18 lekë të shkoj në kinema. Shpresoj të kemi një vendim apeli për një masë sigurie që të jetë më e përtypshme për të dyja palët, por vendimi i shkallës së parë më kërcet shumë” është shprehur Hoxha./lapsi

XS
SM
MD
LG