Familja nga Çorovoda me 2 fëmijë autikë në qiell të hapur! Kryefamiljari apel për ndihmë: Vajza e sëmurë, i hoqën pensionin e invaliditetit
Banesa e Ymer Sulës u shemb pjesërisht 4 muaj më parë nga reshjet e shiut dhe stuhia e erës. Në Zaloshnjë të Çorovodës, që ndodhet rrëzë malit të Tomorit bën shumë ftohtë dhe dimrin e kanë kaluar nën një çati prej plastmasi. Në këto kushte të mjerueshme, Ymeri jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijët, dy prej të cilëve me autizëm. Ai kërkon nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, njohur si “KEMP EPROR” t’i lidhin pension invaliditeti vajzës 22-vjeçe, pasi ia kanë ndërprerë padrejtësisht.
“Kam tre fëmijë dy vajza dhe një djalë. Dy prej fëmijëve i kam me autizëm.Për fëmijët kam marrë KEMP katër vite më parë ndërsa 2023-shin ma hoqën KEMP-in. Vajza është 22 vjeçe, djali 14 vjeç. KEMP-in e vajzës ma kanë prerë, por pres përgjigje nga Tirana kurse djalin ma kanë nxjerr të aftë mjekët në Berat”- u shpreh kryefamiljari.
Si të mos mjaftonin problemet shëndetësore në nëntor 2023 u shemb një pjesë e shtëpisë. “Fëmijët në momentin që ranë muret ishin brenda por për fat arritën të dalin në kohë”- tregoi ai.
Banesa e familjes Sula është shkatërruar, ç’bie jashtë hyn brenda. Muret anësore kanë rënë. “Tani në stinën e dimrit po flemë në këtë ambient”- rrëfeu Ymer Sula.
Të vetmet orendi janë dollapi i vjetër, një krevat disa thasë me rroba, ndërsa për çati disa trarë mbuluar me plastmas. Të gjithë janë të papunë, veç rrojnë me prodhimet bujqësore dhe një ndihmë ekonomike prej 5 mijë lekësh në muaj. Bashkia e Çorovodës u ka dhënë 300 mijë lek për riparimin e dëmeve, shumë kjo e pamjaftueshme pasi shtëpia duhet rindërtuar nga themelet.
“Ato lek nuk dalin për muret. Jemi shumë larg vetëm rruga për të sjell materialet kushton shumë”- shtoi kryefamiljari. Përmes Report TV, Ymer Sula apelon institucionet shtetërore, por dhe donatorët private që ta ndihmojnë për ndërtimin e një shtëpie të re. Personat që dëshirojnë të kontribuojnë në ndihmë të kësaj familje, mund të kontaktojnë kryefamiljarin, Ymer Sula në numrin: 0682729542. /Nga shqiptarja.com