Bllokohet pa afat aksi Librazhd–Prrenjas: Rruga fundoset me 29 cm, rrezik serioz për urën te “Arrat e Gurrës”
Aksi rrugor Librazhd–Prrenjas është bllokuar plotësisht në segmentin “Arrat e Gurrës”, pas përkeqësimit të situatës nga rrëshqitjet e dheut dhe fundosja e rrugës. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndaluar qarkullimin për të gjitha mjetet – vetura, autobusë dhe kamionë – për një afat të pacaktuar, për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë.
Sipas drejtorit të ARRSH-së, Ami Kozeli, në 48 orët e fundit është shënuar përkeqësim i ndjeshëm, me zhvendosje të trupit të rrugës nga 27 në 29 centimetra, ndërsa poshtë urës po dëmtohet betoni. Për këtë arsye, ura nuk konsiderohet më e sigurt për qarkullim dhe trafiku është bllokuar totalisht.
Autoritetet do të nisin menjëherë ndërtimin e një bypass-i provizor, por nuk ka ende një afat për përfundimin e punimeve. Qytetarëve u kërkohet të shmangin këtë segment, pasi do të përballen me radhë të gjata pritjeje.
Për mjetet e tonazhit të rëndë nuk ka rrugë alternative, ndërsa automjetet e vogla mund të devijojnë nga aksi Gramsh–Moglicë–Lozhan, ku edhe aty janë raportuar dëmtime nga rrëshqitjet e fundit. Ndërkohë, disa qytetarë fajësojnë punimet pa kriter si shkak të situatës së përsëritur në këtë segment.