Zgjohet nga gjumi KMSH por s’përmend gazin lotsjellës: Te Namazgjaja u lënduan besimtarët
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë reagoi sot në mesditë për incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku disa besimtarë u lënduan teksa po falnin namazin e Teravive. Një reagim i shumëpritur, që erdhi jo në orët e para pas ngjarjes, por pasi kaloi nata dhe opinioni publik kishte filluar të ngrinte pikëpyetje mbi heshtjen e institucionit më të lartë fetar mysliman në vend.
Në deklaratën zyrtare, KMSH shpreh “indinjatën e thellë” për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve dhe dënon me vendosmëri incidentin e 20 shkurtit 2026. Megjithatë, thekson se ka qenë gjithmonë një faktor i “matur dhe i përmbajtur” në reagimet publike, duke nënvizuar se kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave të besimtarëve.
Ironikisht, pikërisht kjo “maturi” u reflektua edhe në kohën e reagimit: një qëndrim i peshuar me kujdes, i formuluar me tone të buta dhe me thirrje për vetëpërmbajtje nga “të gjithë aktorët e përfshirë”. Një gjuhë e ekuilibruar deri në sterilitet, që për shumëkënd ngjan më tepër si përpjekje për të mos prishur balancat institucionale sesa si një reagim i fortë në mbrojtje të besimtarëve të lënduar.
Ndërsa opinioni publik priste një reagim të menjëhershëm dhe më të ashpër për një ngjarje të ndodhur në ambientet e një xhamie gjatë faljes, deklarata e sotme duket se synon më shumë të “mbyllë” çështjen sesa ta përballë atë. Në fund, KMSH u bëri thirrje palëve për maturi dhe përgjegjësi – një apel që do të kishte peshë më të madhe po të ishte artikuluar që mbrëmë.