Tension në Këshillin e Mandateve: Opozita i hap rrugë arrestimit të Ballukut
Sipas raportimeve mediatike dhe parlamentars, është zbardhur qëndrimi i pesë deputetëve të opozitës, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e zv/kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë me dije se pesë përfaqësuesit e opozitës kanë dalë me një qëndrim të përbashkët, ku kërkojnë që Kuvendi t’i hapë rrugë kërkesës së Prokurorisë së Posaçme. Në dokumentin përfundimtar, ata rekomandojnë që në seancë plenare deputetët të votojnë pro dhënies së autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së Ballukut, përmes zëvendësimit të masave aktuale të sigurisë.
Në qëndrimin e tyre, deputetët e opozitës mbështeten në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës, si dhe në nenet 260, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale, përveç referencave në Rregulloren e Kuvendit. Ata i kërkojnë seancës plenare të miratojë kërkesën nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025, të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas kësaj kërkese, Kuvendi duhet të autorizojë zëvendësimin e masave aktuale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” (neni 233 i K.Pr.Penale) dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” (neni 242 i K.Pr.Penale), me masën më të ashpër të “arrestit në burg” ose “arrestit në shtëpi” për znj. Belinda Balluku, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025.
Balluku, e cila aktualisht ushtron funksionet e deputetes, ministres dhe zv/kryeministres, është marrë e pandehur në këtë procedim, pasi dyshohet se ka kryer në mënyrë të përsëritur veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.