Lidhje


Trump hap faqen e “Bordit të Paqes”, Shqipëria dhe Kosova mes anëtareve – Evropa distancohet

 

Pas ceremonisë inauguruese të mbajtur më 19 shkurt në Washington, Bordi i Paqes ka lançuar faqen e tij zyrtare në internet, ku publikohen dokumentet themeluese, misioni dhe lista e vendeve pjesëmarrëse. Në mesin e 28 shteteve të përfshira figurojnë edhe Shqipëria dhe Kosova.

 

Faqja online përmban Kartën e Bordit, Planin e Paqes për Gazën, dokumentacionin shoqërues si dhe informacion mbi takimet e zhvilluara deri më tani. Po ashtu, aty renditen edhe anëtarët aktualë të Bordit Ekzekutiv.

 

Ndër shtetet e listuara si anëtare përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.

 

 

Në Kartën themeluese paraqiten parimet mbi të cilat mbështetet iniciativa. Dokumenti thekson se paqja e qëndrueshme kërkon qasje pragmatike dhe guxim për të lënë pas modele që kanë dështuar, se stabiliteti ndërtohet kur komunitetet marrin përgjegjësi për të ardhmen e tyre dhe se vetëm partneritete të bazuara në angazhime të ndërsjella dhe rezultate konkrete mund të garantojnë sukses afatgjatë. Po ashtu, kritikohet varësia e krijuar nga disa mekanizma tradicionalë të ndërtimit të paqes, duke nënvizuar nevojën për një strukturë ndërkombëtare më efikase dhe më dinamike. Në përfundim, shtetet pjesëmarrëse miratojnë zyrtarisht Kartën e Bordit të Paqes.

 

Në platformë është publikuar edhe një deklaratë e ish-presidentit Donald Trump lidhur me këtë iniciativë, ku ai shprehet se Bordi ka potencialin të shndërrohet në një nga strukturat më vepruese të krijuara ndonjëherë.

 

Faqja përfshin gjithashtu fotografi të liderëve të vendeve anëtare, ku kryeministri Edi Rama shfaqet përkrah Trump.

 

 

Sipas informacioneve zyrtare, Shtëpia e Bardhë ka dërguar ftesa për rreth 60 shtete. Deri më tani, 35 liderë kanë shprehur interes, ndërsa 26 vende janë konfirmuar si anëtare themeluese; të tjerat pritet të marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesit. Ndërkohë, disa prej fuqive kryesore evropiane – përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën – kanë zgjedhur të mos i bashkohen nismës. Megjithatë, Bashkimi Evropian do të përfaqësohet në takim nga komisionerja për Mesdheun, Dubravka Suica, në rolin e vëzhgueses.

XS
SM
MD
LG