PPE zbarkon në Tiranë dhe takon PD-në – Opozita denoncon para Evropës pretendimet për farsë zgjedhore
Deputetë të Partisë Demokratike, anëtarë të kryesisë së grupit parlamentar, zhvilluan sot një takim në ambientet e Kuvendit me përfaqësues të 28 partive të familjes së Partisë Popullore Evropiane, mes tyre edhe eurodeputetë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, bëri të ditur përmes një reagimi publik se në takim u diskutuan çështje që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt demokracinë në vend. Ai përmendi proceset zgjedhore, deformimin e sistemit demokratik, kapjen e institucioneve, pengesat ndaj drejtësisë dhe rrezikun e ndikimit të interesave kriminale në shtet.
Sipas Bardhit, vizita nuk ishte thjesht formale, por një mision faktmbledhës që tregon se situata politike në Shqipëri është tashmë në vëmendjen e strukturave evropiane. Ai theksoi se rezolutat e PPE-së po shoqërohen me verifikime konkrete në terren dhe dëgjim të drejtpërdrejtë të fakteve.
Në përfundim, Bardhi shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe interesimin e partive të PPE-së ndaj zhvillimeve në Shqipëri.