Arrestimi i Ballukut drejt afatit kritik, opozita akuzon sërish PS për zvarritje në Kuvend
Çështja e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e deputetes Belinda Balluku po hyn në një fazë delikate në Kuvend, ndërsa afati ligjor tre-mujor për shqyrtimin e saj po shkon drejt fundit. Opozita pretendon se mazhoranca socialiste po e shtyn me qëllim votimin në seancë plenare, ndërsa socialistët thonë se nuk kanë ende një vendim të përbashkët brenda grupit parlamentar.
Gjatë seancës së fundit parlamentare, deputetët e opozitës kërkuan që raporti i tyre në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të hidhej menjëherë për votim. Sipas tyre, çdo vonesë e mëtejshme rrezikon që procedura të dështojë për shkak të kalimit të afatit ligjor që parashikon Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, theksoi se kërkesa e SPAK duhet trajtuar me urgjencë dhe paralajmëroi se brenda pak ditësh Kuvendi mund ta konsiderojë automatikisht të rrëzuar nëse nuk shprehet me votë.
Nga ana tjetër, kryetari i grupit socialist Taulant Balla deklaroi se raporti i socialistëve nuk është përfunduar ende dhe se vendimi për këtë çështje do të merret në mënyrë kolegjiale nga deputetët e PS. Ai argumentoi se rregullorja u jep palëve dy javë kohë për të hartuar raportet pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Mandateve.
Sipas Ballës, votimi për kërkesën e SPAK dhe për raportet përkatëse pritet të zhvillohet në seancën plenare të 12 marsit, duke mos e tejkaluar afatin tre-mujor të procedurës.
Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës në Këshillin e Mandateve e kanë dorëzuar tashmë raportin e tyre, ku kërkojnë miratimin e kërkesës së SPAK për vendosjen e masës së arrestit ndaj ish-zëvendëskryeministres Balluku. Sipas tyre, dokumenti mbështetet në provat e paraqitura nga prokuroria, në praktikën kushtetuese dhe në opinionet e Komisionit të Venecias, si dhe në parimin e luftës kundër korrupsionit.
Kërkesa e SPAK për Ballukun është depozituar në Kuvend më 16 dhjetor 2025. Procesi u zvarrit fillimisht pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nuk thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Gjatë kësaj periudhe, kryeministri Edi Rama mori publikisht në mbrojtje Ballukun pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta pezulluar nga detyra, një vendim që më pas u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Pas përfundimit të këtij procesi në Kushtetuese, Rama vendosi ta largojë Ballukun nga detyrat ekzekutive. Vendimi u formalizua në seancën e fundit parlamentare, ku 85 deputetë votuan për shkarkimin e saj nga funksionet qeveritare.