Lidhje


Kuvendi i Shqipërisë miraton ndryshimet në kabinetin qeveritar

 

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e sotme dekretet e presidentit Bajram Begaj për ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar.

 

Ndryshimet që u propozuan disa ditë më parë nga kryeministri dhe kryetari i partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Edi Rama, u votuan mes tensioneve dhe debateve, pasi gjatë kohës së votimit deputetët e opozitës bllokuan foltoren.

 

Albana Koçiu është emëruar në postin e zëvendëskryeministres, duke zëvendësuar Belinda Ballukun, e cila u shkarkua nga detyra, përfshirë edhe nga posti i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

Diplomati Ferit Hoxha është emëruar ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, post i mbajtur deri tani nga Elisa Spiropali.

 

Në postin e ministrit të Punëve të Brendshme është emëruar Besfort Lamallari, i cili më parë ka mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë.

 

Në postin e ministrit të Drejtësisë është emëruar Toni Gogu dhe Erjona Ismaili është emëruar si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

 

Enea Karakaçi do të jetë ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, ndërsa Ermal Nufi është emëruar ministër i Mbrojtjes, post që më parë është mbajtur nga Pirro Vengu.

 

Kuvendi ka miratuar edhe dekretet e shkarkimit për ministrat Balluku, Spiropali dhe Vengu, të cilët nuk do të jenë më pjesë e kabinetit qeveritar. Pas ceremonisë së betimit në Presidencën e Shqipërisë, ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.

 

Seanca u përfshi edhe nga debatet dhe tensionet, pasi deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike, bllokuan foltoren gjatë votimit të dekreteve të presidentit Begaj, duke mos marrë pjesë në procesin e votimit.

 

Opozita ka kërkuar vazhdimisht përfshirjen në rendin e seancave plenare të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbi dhënien e autorizimit “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj Ballukut, e cila u pezullua edhe nga gjykata. Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.

 

Në fillim të seancës parlamentare u mbajt një minutë heshtje në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)./ TRT Balkan

XS
SM
MD
LG