Ulsi Manja përplaset me SPAK: Nuk ka vend për arrestimin e Belinda Ballukut
Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, prezantoi në Kuvend raportin lidhur me kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj deputetes Belinda Balluku me një masë më të rëndë, deri në arrest. Në mbledhjen e zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Manja deklaroi se situata juridike ka ndryshuar pasi Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri.
Sipas tij, masa aktuale e ndalimit të daljes jashtë shtetit është respektuar nga deputetja dhe argumentet e SPAK për rrezik të prishjes së provave apo arratisje mbeten hipotetike, pasi lidhen me funksione ekzekutive që ajo nuk i ushtron më. Manja theksoi se Kuvendi nuk është organ gjyqësor dhe nuk gjykon fajësinë, por ushtron një filtrim kushtetues procedural për masat që prekin lirinë personale të deputetëve.
Ai sqaroi se hetimi ndaj Ballukut ka nisur në gusht të vitit 2024, pas kallëzimeve të bëra nga përfaqësues të opozitës, përfshirë ish-kryetarin e PD Lulzim Basha dhe sekretarin e përgjithshëm Gazment Bardhi, lidhur me dyshime për shkelje të barazisë në tendera. Sipas Manjës, edhe pse gjatë hetimeve janë shtuar disa episode të tjera, vepra penale mbetet e njëjtë dhe nuk justifikon automatikisht rëndimin e masës së sigurisë.
Deputeti socialist nënvizoi se paraburgimi është masa e fundit dhe se Kuvendi duhet të ruajë balancën mes pushteteve duke respektuar procedurat kushtetuese. Ai theksoi gjithashtu se imuniteti për hetimin penal të deputetëve nuk ekziston që prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012, por për arrestimin kërkohet autorizim nga Kuvendi si garanci institucionale.
Në përfundim, Manja bëri të ditur se mazhoranca do t’i rekomandojë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut nga ndalimi i daljes jashtë vendit në arrest, duke argumentuar se nuk ekziston domosdoshmëri për një masë më të rëndë në këtë fazë të hetimit.