Lidhje


Edi Rama shpërthen për rastin Balluku: “Akuzë për një tender 6 vite më parë, jo për korrupsion!”

 

Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar socialist lidhur me kërkesën e SPAK për kufizimin e lirisë së deputetes Belinda Balluku. Nga Kryesia e Kuvendit, Rama deklaroi se mazhoranca po shpall publikisht qëndrimin e saj për kërkesën e prokurorit special që kërkon autorizimin e Kuvendit për një masë më të rëndë sigurie ndaj Ballukut.

 

Sipas Ramës, akuza ndaj ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk lidhet me korrupsion apo vjedhje, por vetëm me një dyshim për “pabarazi në tendera publikë”, që sipas tij daton rreth gjashtë vite më parë. Ai theksoi se çështja është ngritur mbi bazën e disa mesazheve të gjetura më vonë në celularin e një ish-drejtori.

 

“Ndaj saj është ngritur një akuzë jo për vjedhje, jo për korrupsion apo për ndonjë skenë krimi, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se, në cilësinë e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka kryer veprën penale ‘pabarazi në tendera publikë’ 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori”, deklaroi Rama.

 

Kryeministri kritikoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për pezullimin nga detyra të Ballukut, duke e cilësuar atë si të pajustifikuar dhe të nxituar. Ai tha se masa kishte prekur jo vetëm personin, por edhe funksionin institucional të një anëtareje të kabinetit qeveritar.

 

“Një masë absurde që pezulloi faktikisht funksionin, jo thjesht personin. Nuk ka ndodhur kurrë dhe askund tjetër në botë një budallallëk i kësaj natyre”, u shpreh Rama.

 

Sipas tij, zhvillimet e fundit erdhën pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi masën e pezullimit dhe vendosi të shqyrtojë çështjen në themel. Rama tha se menjëherë pas këtij vendimi, prokuroria paraqiti një kërkesë të re për kufizimin e lirisë së Ballukut, gjë që ai e cilësoi si një veprim të nxituar.

 

Kryeministri theksoi se debati që po zhvillohet në Kuvend lidhet me kompetencën kushtetuese të parlamentit për të vendosur nëse duhet të autorizohet apo jo arrestimi i një deputeti. Sipas tij, kjo është një procedurë që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe që duhet të trajtohet në mënyrë institucionale.

 

“E diskutojmë me të drejtën që na jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të autorizuar ose jo arrestin e një deputeti”, u shpreh Rama, duke theksuar se vendimi final për këtë çështje i takon Kuvendit.

XS
SM
MD
LG