Berisha thërret protestë më 12 mars: Dilni në shesh dhe sabotoni regjimin!
Kreu i Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e opozitës më 12 mars përpara Parlamentit, duke e cilësuar atë një moment vendimtar për kundërshtimin e qeverisë së Edi Rama.
Gjatë foltores së përjavshme të Partisë Demokratike para Kryeministrisë, Berisha u kërkoi jo vetëm qytetarëve, por edhe policëve, ushtarakëve dhe punonjësve të administratës që të mos mbështesin qeverinë dhe, sipas tij, ta “sabotojnë çdo ditë këtë regjim”.
“Këta janë njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin tuaj dhe të familjeve tuaja. Ata po zbrazin dhe po shkatërrojnë Shqipërinë. Ndaj duhet t’u japim përgjigjen që meritojnë. Më 12 mars, në orën 10:00, të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen para parlamentit”, deklaroi ai.
Lideri i opozitës iu drejtua gjithashtu intelektualëve shqiptarë duke u bërë thirrje të “dalin nga guaska e konformizmit” dhe të mbrojnë interesat e vendit. Ai theksoi se investimi që shoqëria ka bërë për arsimimin e tyre i obligon të jenë zë i fortë kundër padrejtësive.
Berisha u bëri apel edhe profesionistëve të ndryshëm – mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve dhe juristëve – duke paralajmëruar se konformizmi me qeverinë është, sipas tij, “mëkati më i madh”.
Në fund të deklaratës së tij, ai iu drejtua edhe të rinjve, duke theksuar se vendi ka nevojë për energjinë dhe guximin e tyre për të kundërshtuar situatën politike aktuale.