Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në Europë sipas fuqisë blerëse
Shqipëria rezulton vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve.
Monitor ka përpunuar të dhënat e të ardhurave për frymë në dollarë për vitin 2026 sipas publikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe çmimit aktual të naftës sipas Global Petrol Price.
Të ardhurat mesatare për frymë në dollarë në Shqipëri për vitin 2026 janë 12 mijë dollarë, ose 33 dollarë në ditë, sipas pasqyrës Ekonomike Globale të FMN-së. Një litër naftë tregtohej dje në Shqipëri me rreth 200 lekë, ose 2.4 dollarë, me kursin aktual.
Si rrjedhojë, një qytetari shqiptar do ti duheshin aktualisht 7.2% e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në shifrat e FMN-së dhe Global Petrol Price, kjo është pesha më e lartë ndër vendet europiane të përfshira në analizë.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit pesha është të paktën dy herë më e lartë. Në Serbi, një litër karburant përfaqëson rreth 3.7% të të ardhurave ditore, në Mal të Zi rreth 3.6%, ndërsa në Rumani rreth 2.8%. Edhe në Greqi, një nga tregjet më të shtrenjta të karburantit në Europë në terma nominalë, pesha e një litri nafte në raport me të ardhurat është rreth 2.5%.
Rajoni i ka çmimet e naftës dhe në vlerë nominale, mesatarisht 15-30% më të ulëta se Shqipëria, sidomos Kosova e Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, që të ardhurat për frymë të vendit mbeten ndër më të ulëtat në rajon, duke ia kaluar së fundmi Maqedonisë së Veriut, me Kosovën që i ka më të ulëtat.
Në ekonomitë më të zhvilluara europiane, diferenca është edhe më e madhe për shkak të të ardhurave më të larta, me karburantin që në Shqipëri është tre deri në 6 herë më i shtrenjtë në terma relative, sipas fuqisë blerëse.
Në vende si Italia, Franca, Gjermania apo Belgjika, një litër karburant zakonisht përfaqëson më pak se 2% të të ardhurave mesatare ditore, ndërsa në disa vende të Europës Veriore pesha bie edhe më tej. Holanda ka naftën më të shtrenjtë në Europë në vlerë absolute, por një qytetari aty i duhen vetëm 1.1% e të ardhurave ditore për të blerë një litër, ose 7 herë më pak sesa Shqipëria.
Shqipëria ka ndërkohë një nga nivelet më të ulëta të të ardhurave për frymë në Europë, ndërsa çmimet e karburantit janë shpesh të ngjashme ose vetëm pak më të ulëta se ato të vendeve të Bashkimit Europian. Kjo bën që pesha reale e karburantit mbi buxhetin e familjeve dhe mbi kostot e transportit për bizneset të jetë shumë më e lartë.
Sipas të dhënave të Global Petrol Price, edhe në vlerë nominale, Shqipëria renditet e pesta në Europë për çmimet e naftës, pas Holandës, Danimarkës, Norvegjisë, e Zvicrës, me këto të fundit që e kanë karburantin vetëm 10 deri në 30 cent më shumë se në vendin tonë.
Karburanti është një nga komponentët kryesorë të kostove të transportit dhe logjistikës në ekonomi. Në vende ku pesha e tij mbi të ardhurat është e lartë, ndikimi përhapet më tej në çmimet e mallrave, në koston e transportit të mallrave dhe në shpenzimet e përditshme të familjeve.
Pesha e lartë e taksave mbetet një nga arsyet kryesore të çmimeve të shtrenjta në vend, ku rreth 60% të çmimit e përbëjnë taksat.( Akciza: rreth 37-38 lekë/litër; Taksa e qarkullimit: rreth 27 lekë/litër; Taksa e karbonit: rreth 3 lekë/litër; TVSH: 20% e çmimit final, etj).
Karburantet, rritja e çmimit reflektohet shumë shpejt, por ulja jo
Reagimet shumë të shpejta në rritje të çmimeve kur shtrenjtohen në bursa dhe uljet e ngadalta kur bien në tregjet ndërkombëtare mbeten një tjetër arsye e rëndësishme.
Sipas raportimeve të Monitor në renditjen e kompanive më të mëdha sipas fitimeve, psh, në vitin 2019, norma e fitimit për sektorin u rrit me 0.5-1 pikë përqindje. Operatorët e tregut e shpjeguan këtë me tendencën ulëse të çmimeve të tregtimit të karburanteve në vend në atë vit.
Ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet me të njëjtin ritëm dhe kohë në tregun vendas dhe kjo çon në rritjen e normave të fitimit. E kundërta ndodh kur rritet çmimi, kur reflektimi është më i shpejtë, siç treguan dhe ditët e fundit.
E njëjta tendencë u konstatua dhe në vitin 2024, ku një pjesë e kompanive panë një përmirësim të lehtë të normave të fitimit në 2024-n. Operatorët sërish pranuan se kur çmimi është i ulët, kompanitë kanë më shumë mundësi të manovrojnë me çmimet, pasi dhe reflektimi ndaj rënies së tyre në bursa është pak më i ngadaltë. Në vitin 2024, çmimet kishin tendencë ulëse, duke favorizuar shoqëritë importuese dhe tregtuese. / Monitor