Lidhje


Alarm për çmimet e karburanteve – Qeveria ngre Taskforce për kontroll të fortë në treg

 

Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, ku u miratua plani operacional për ngritjen e një Taskforce të përbashkët mes dy institucioneve.

 

Kjo strukturë do të ketë si objektiv rritjen e kontrollit dhe të efikasitetit tatimor e doganor në sektorin e hidrokarbureve, si në tregtinë me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë. Qëllimi është parandalimi i rritjeve abuzive të çmimeve të karburanteve dhe mbrojtja e konsumatorëve shqiptarë.

 

Ministri Malaj theksoi se krijimi i këtij grupi operacional lidhet edhe me zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregun e energjisë dhe në çmimet e hidrokarbureve.

 

“Kemi marrë këtë nismë edhe në kontekstin e konfliktit të fundit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, i cili ka ndikuar në çmimet globale të hidrokarbureve. Çmimet do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet, për të shmangur çdo rritje abuzive në tregun me shumicë dhe pakicë”, deklaroi ai.

 

Sipas ministrit, gjatë takimit u përcaktuan hapat konkretë që do të ndiqen nga administrata tatimore dhe doganore, duke filluar nga analiza e riskut për operatorët që veprojnë në këtë sektor dhe deri te mbledhja e informacionit nga tregu për raste të mundshme abuzimi.

 

Kontrollet, sipas tij, nuk do të kufizohen vetëm në verifikimin e dokumentacionit tatimor dhe doganor, por do të përfshijnë edhe kontrollin fizik të sasive të hidrokarbureve që tregtohen nga operatorët.

 

Nga ana tjetër, drejtori i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit dhe do të përqendrohen tek subjektet e identifikuara me risk të lartë.

 

Ai theksoi se do të krijohen grupe të përbashkëta kontrolli mes Doganave dhe Tatimeve për të garantuar që aktiviteti i operatorëve të zhvillohet në përputhje me ligjin, që çdo transaksion të regjistrohet fiskalisht dhe që karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore.

 

Ndërkohë, drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi se institucionet kanë koordinuar tashmë planin operacional dhe kanë nisur analizën e riskut për operatorët e tregut.

 

Ai theksoi se eksperiencat nga operacionet e mëparshme kanë ndihmuar në identifikimin e problematikave konkrete në këtë sektor dhe se operacioni i ri pritet të shtrihet në një periudhë të gjatë kohore, me synimin për të rritur formalizimin dhe për të garantuar funksionimin normal të tregut të hidrokarbureve në vend.

XS
SM
MD
LG