Lidhje


Kushtetuesja rrëzon qeverinë për TikTok-un: Vendimi i Ramës cenoi lirinë e shprehjes

 

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mërkurën se vendimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama për bllokimin e platformës TikTok në mars të vitit 2025 ka përbërë një kufizim të pajustifikuar të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së medias, duke rënë ndesh me nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

 

Vendimi është marrë me shumicë votash, ku gjashtë nga tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u shprehën në favor të kërkesës së paraqitur nga organizatat e medias, përkatësisht Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe BIRN Albania.

 

Çështja u shqyrtua nga gjykata edhe pse qeveria vendosi të shfuqizonte vendimin për bllokimin e TikTok-ut vetëm dy ditë para seancës së planifikuar gjyqësore. Megjithatë, sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët vlerësuan se rasti kishte një interes të lartë publik dhe se shqyrtimi i tij mbetej i domosdoshëm, pavarësisht tërheqjes së aktit nga ana e Këshillit të Ministrave dhe kërkesës së qeverisë për ndërprerjen e procesit.

 

Gjykata vlerësoi gjithashtu se organizatat paditëse kishin të drejtë legjitime për ta ngritur këtë çështje, pasi pretendimet e tyre lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve dhe profesionistëve të medias.

 

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se ndërprerja e aksesit në TikTok për të gjithë përdoruesit në territorin e Shqipërisë përbënte një kufizim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit.

 

Sipas arsyetimit të gjykatës, ligjet mbi të cilat qeveria ishte mbështetur për të marrë vendimin për bllokimin e platformës parashikojnë disa kompetenca rregullatore dhe mbrojtëse në fushën e komunikimeve elektronike dhe të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Megjithatë, këto ligje nuk i japin Këshillit të Ministrave një autorizim të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të vendosur masa të përgjithshme si ndërprerja e plotë e aksesit në një platformë online për të gjithë përdoruesit.

 

Gjykata theksoi se vendimi i qeverisë nuk mund të konsiderohej thjesht një akt teknik që zbaton një kufizim të parashikuar nga ligji, por një akt që në vetvete vendoste kufizimin, duke mos përmbushur kështu kriterin kushtetues që kufizimet e të drejtave të vendosen “vetëm me ligj”.

 

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese argumentoi se Këshilli i Ministrave nuk kishte përmbushur kërkesat e nenit 17 të Kushtetutës, sipas të cilit çdo kufizim i të drejtave dhe lirive duhet të vendoset vetëm për një interes publik dhe të jetë në përpjesëtim me situatën që e ka diktuar atë.

 

Sipas gjykatës, qeveria nuk kishte analizuar alternativa të tjera juridike dhe nuk kishte arritur të provonte në mënyrë bindëse se bllokimi i përgjithshëm i platformës ishte mjeti i vetëm efektiv dhe i domosdoshëm për arritjen e qëllimit të deklaruar.

 

Gjykata vlerësoi gjithashtu se fakti që gazetarët mund të përdornin platforma të tjera komunikimi nuk ishte një argument i mjaftueshëm për të justifikuar eliminimin e plotë të aksesit në një hapësirë të rëndësishme të komunikimit publik si TikTok.

 

Në përfundim, gjykata arriti në konkluzionin se ndërhyrja nuk përmbushte kriterin e proporcionalitetit të përcaktuar në Kushtetutë dhe se pretendimet e organizatave të medias për shkelje të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit ishin të bazuara.

 

Pas publikimit të vendimit, kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetin social X, duke ironizuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke pretenduar se ai kishte injoruar shqetësimet e prindërve dhe mësuesve.

 

Duke shmangur thelbin e vendimit të gjykatës, Rama mbrojti edhe një herë vendimin e qeverisë për bllokimin e TikTok-ut, duke deklaruar se një vendim i tillë mund të inkurajojë shpifjet në rrjetet sociale.

XS
SM
MD
LG