Importuesit: Rama të heqë taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve i ka paraqitur qeverisë një propozim për reformimin e taksës së qarkullimit, që sipas tyre do të çonte menjëherë në uljen e çmimit të karburanteve. Nafta po tregtohet aktualisht rreth 200 lekë për litër, pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, nga 170–175 lekë që ishte më parë, ndërsa në bursat ndërkombëtare çmimi ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi. Nëse kriza vijon, pritet që çmimet të rriten më tej.
Në një propozim të detajuar, aktorët e tregut sugjerojnë që taksa aktuale prej rreth 32.4 lekë për litër të hiqet nga karburanti dhe të zëvendësohet me një tarifë vjetore të drejtpërdrejtë mbi automjetet, e diferencuar sipas kategorive dhe ndikimit në infrastrukturë.
Sipas dokumentit, Shqipëria konsumon rreth 730 milionë litra karburant në vit, duke gjeneruar afërsisht 23.6 miliardë lekë (rreth 246 milionë euro) të ardhura nga kjo taksë. Importuesit propozojnë që e njëjta shumë të mblidhet përmes një skeme të re, ku çdo automjet do të paguante mesatarisht rreth 310 euro në vit, me tarifa më të ulëta për mjetet e vogla dhe më të larta për kamionët dhe autobusët.
Sipas përllogaritjeve orientuese, tarifa mesatare do të ishte rreth 310 euro në vit për mjet, me një strukturë të diferencuar sipas kategorive:
-rreth 40 euro në vit për motorët
-rreth 150 euro për automjetet e vogla
-rreth 200 euro për SUV dhe fuoristrada
-mbi 500 euro për kamionë dhe autobusë
Ata argumentojnë se sistemi aktual krijon pabarazi fiskale, pasi taksa paguhet njësoj për çdo litër karburanti, pavarësisht nga lloji i mjetit apo dëmi që ai shkakton në rrugë. Një model i ri do të zhvendoste barrën drejt mjeteve më të rënda dhe ndotëse, duke e bërë sistemin më të drejtë dhe më të krahasueshëm me praktikat në vendet e Bashkimit Europian.
Propozimi parashikon një sërë efektesh zinxhir në ekonomi. Ulja e çmimit të karburantit pritet të rrisë konkurrueshmërinë rajonale dhe të ulë kostot e transportit, duke reflektuar në çmime më të ulëta për mallrat dhe shërbimet. Në të njëjtën kohë, rritja e konsumit mund të kompensojë pjesërisht të ardhurat përmes TVSH-së dhe tatim-fitimit.
Një tjetër element kyç është përfshirja e automjeteve elektrike në bazën e taksimit, të cilat aktualisht nuk kontribuojnë përmes karburantit, por po shtohen me ritme të shpejta në treg. Po ashtu, skema e re synon të reduktojë kontrabandën dhe furnizimin jashtë vendit në zonat kufitare, duke formalizuar më tej tregun./MONITOR