Rama: Do të ulim numrin e deputetëve në 101 me referendum!
Shqipëria do të ketë së shpejti një ligj për referendumet ku do të kalojnë shumë nisma që përplasin partitë politike. E para mes tyre, ulja e numrit të deputetëve të Kuvendit. Përpara anëtarëve të asamblesë së PS-së që u mbajt këtë të shtunë, në Durrës, kryetari socialist dhe kryeministri Edi Rama, paralajmëroi depolitizimin e administratës zgjedhore, pavarësisht dakortësisë ose jo me opozitën. Kritikave apo hipotezave për ngadalësim të bisedimeve për anëtarësim me BE-në, Rama iu përgjigj se negociatat do të mbyllen brenda mandatit, siç është planifikuar.
Referendumi i fundit, dhe i dyti në historinë e postkomunizmit, është ai i vitit 1998, ku qytetarët i thanë ‘PO’ kushtetutës së re. Prej atij viti asnjë nismë domethënëse nuk ka kaluar në këtë proces kompleks, ndërsa dhe legjislacioni për referendumet përmblidhet në vetëm disa faqe në Kodin zgjedhor.
Ideja e hedhur nga vetë Rama disa muaj më parë, për tkurrjen e numrit të deputetëve, duket se po kërkohet të konkretizohet pa humbur shumë kohë. Në mungesë të 94 votave për të ndryshuar kushtetutën, ku sanksionohet struktura e parlamentit, Rama ka gjetur pikërisht rrugën e referendumit.
"Ne do ta zbresim numrin e deputetëve, besoj se për këtë ne jemi vonë, por kemi të gjithë kohën e nevojshme t’i thërrasim shqiptarët në referendum. Ne duhet të çojmë ligjin e referendumeve përpara. Shumë tema do të duhet të shkojnë në referendum", tha Rama.
Ideja e Ramës për numrin e deputetëve është ajo e uljes së tyre në 101 nga 140 që ka aktualisht parlamenti. Ndërsa për ligjin e referendumeve ai tha se duhet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar.
E diskutuar shumë herë, dhe pjesë e disa raporteve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, çështja e depolitimit të administratës zgjedhore duket të jetë po ashtu pjesë e përparësive në axhendën e socialistëve, me ose pa dakortësinë e opozitës.
"Ne duhet ta bëjmë de politizimin e plotë të administratës zgjedhore. Është një nga pikat më të turpshme të një Shqipërie që bëhet gati të hyjmë në BE", vijoi Rama.